Shqipëria ka siguruar së fundmi një nga paketat më të mëdha të financimit evropian për sektorin e mjedisit, ku përfshihen 124 milionë euro grante nga Western Balkans Investment Framework (WBIF), të destinuara për projekte infrastrukturore në Durrës, Lezhë e Sarandë. Vendimi përfshin zgjerimin e Impianteve të Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Lezhë dhe Sarandë, si edhe përmirësimin e Impiantit të Durrësit, të shoqëruar me rehabilitimin e sistemit të kanalizimeve në zonën historike të qytetit.
Sipas njoftimit të SASPAC(Agjencia Shtetërore e Programimit Strategji dhe Koordinimit të Ndihmës), zgjerimi dhe modernizimi i impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në Lezhë, Sarandë dhe Durrës pritet të përmirësojë ndjeshëm menaxhimin e ndotjes urbane dhe të ulë presionin mbi ekosistemet bregdetare dhe ujore, veçanërisht në qytete me flukse të larta turistike. Rehabilitimi i sistemit të kanalizimeve në zonën historike të Durrësit synon gjithashtu mbrojtjen e trashëgimisë urbane dhe përmirësimin e shërbimeve bazë për banorët dhe vizitorët.
Ndërkohë, realiteti në terren vijon të tregojë një kontrast të fortë mes fondeve të akorduara dhe efikasitetit të investimeve. Përmbytjet e përsëritura, në këtë rast në Durrës dhe Lezhë, edhe pas reshjeve të fundit, kanë nxjerrë sërish në pah një problem strukturor: mungesën e një qasjeje të integruar dhe efektive në planifikimin, zbatimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës urbane dhe mjedisore.
Ndërsa projektet e financuara nga BE, KfW dhe AFD synojnë modernizimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura dhe rehabilitimin e sistemeve të kanalizimeve, sidomos në zona me ndjeshmëri historike dhe turistike, përvoja e viteve të fundit tregon se investimet e kryera deri më tani nuk kanë prodhuar gjithmonë ndikimin e pritshëm. Në veçanti në Durrës dhe Lezhë, qytete me zhvillim të shpejtë urban dhe presion të lartë ndërtimi, infrastruktura ekzistuese ka rezultuar e pafuqishme për të përballuar volumet e ujërave dhe ndryshimet klimatike, duke reflektuar probleme jo vetëm financimi, por edhe projektimi, koordinimi institucional dhe kontrolli territorial.
Në këtë kontekst, sfida për Durrësin, Lezhën dhe bashkitë e tjera nuk është më sigurimi i fondeve – pasi ato tashmë ekzistojnë – por transformimi i këtyre investimeve në infrastrukturë funksionale, të qëndrueshme dhe të integruar me zhvillimin urban. Përndryshe, përmbytjet do të vijojnë të jenë simboli më i dukshëm i një hendeku të thellë mes financimeve të disponueshme dhe rezultateve reale për qytetarët. /ekofin.al
Gazeta RD