Shpërthen revolta në Durrës

Qindra qytetarë kanë dalë sot në protestë në Durrës, duke shprehur indinjatën për përmbytjet e përsëritura që, po u shkatërrojnë banesat dhe bizneset pas çdo rreshjeje të dendur shiu.

Protestuesit po marshojnë drejt Bashkisë teksa mbajnë pankarta ku shkruhet qartë: “Korrupsioni na mbyti, jo shiu!”, ndërsa marshimi shoqërohet me thirrje të fuqishme: “Na u bashkoni!” apo ‘Durrësi skenë krimi’.

Sipas qytetarëve, situata është përkeqësuar vitet e fundit, ndërsa ndërhyrjet kanë qenë të përkohshme dhe jo afatgjata. Ata kërkojnë investime serioze në infrastrukturën e kullimit të ujërave, pastrimin e kanaleve dhe një plan të qartë për parandalimin e përmbytjeve.

“Disa njerëz të tjerë, bashkë edhe unë, vendosëm që të organizonim një protestë sepse këta nuk po e marrin asnjë gjë serioze. Durrësi ishte qyteti që kishte më pak reshje, vetëm 43mm, në krahasim me qytetet e tjera, dhe kjo tregon se ka një problem tjetër, jo vetëm shiu. Kjo është përmbytja e tretë brenda një viti, dhe vjen pas ndërrimit të hidrovorit dhe pas disa tenderëve për sistemimin e kanaleve kulluese.

Gjithashtu, zonja kryetare e Bashkisë, Emiriana Sako, në vitin 2022 ka bërë një deklaratë në rrjetet sociale se po bëhej një investim për të mbyllur 2.6 km kanalesh të ujërave të larta që vinin nga kodrat drejt Spitalit, për të lehtësuar zbritjen e ujit poshtë. Por sot shihet qartë që këto masa nuk kanë funksionuar, dhe institucionet duhet të sqarojnë çfarë ka ndodhur.

Të shpallen dëmet, të dëmshpërblehen qytetarët dhe të bëhet një studim serioz që t’i japë fund këtij problemi njëherë e përgjithmonë. Kjo nuk është fatkeqësi natyrore, por e shkaktuar nga neglizhenca, dhe të gjithë inxhinierët që kemi konsultuar e konfirmojnë këtë”, tha një prej protestuesve për Syri Tv.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Çdo ditë e Edi Ramës në pushtet është një rrezik madhor për çdo shqiptar!

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se çdo ditë e Edi Ramës në pushtet është …