Ahmetaj: Kompania KAYO është krijuar për të përfituar biznesmenët e lidhur me Ramën

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka artikuluar akuza të reja të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, këtë herë lidhur me kompaninë shtetërore të armëve KAYO, duke e cilësuar atë si një instrument të ndërtuar për të transferuar prona publike të Forcave të Armatosura në duar private.

Në emisionin Çim Peka Live në Syri TV, Ahmetaj deklaroi se kompania KAYO është krijuar nga qeveria jo për interesa strategjike të mbrojtjes, por për t’i hapur rrugë përfitimit të biznesmenëve të lidhur me pushtetin. Sipas tij, pas krijimit të kompanisë shtetërore, janë marrë vendime ekstraligjore për të futur si aksioner biznesmenin izraelit Ron Yeffet, i cilësuar prej Ahmetajt si mik i afërt personal i kryeministrit Rama.

“Vetëm një mendje perverse, se kur thotë “e bardha zemër dhe e mira mendje” e ka për “e zeza zemër dhe perversja mendje”. tha Ahmetaj duke vazhduar: “Çfarë roli ka Yeffet në biznes, veç miqësisë me kryeministrin?”

Ahmetaj e përshkroi këtë skemë si një aferë të pastër korruptive, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar. Sipas tij, Ron Yeffet është futur më herët si aksioner në Air Albania, ka pasur tentativa për t’i dhënë tokën e ambasadës shqiptare në SHBA për ndërtim dhe tashmë, sipas Ahmetajt, po përfshihet edhe në biznesin e armëve përmes një kompanie publike, çka përbën konflikt të hapur interesi dhe rrezik për sigurinë kombëtare.

Ish zëvendëskryeministri solli në vëmendje edhe një tjetër episod që e cilësoi problematik, kontratën me kompaninë ELBI SYSTEM, e lidhur sipas tij me Ron Yeffet dhe e marrë nën hetim nga disa vende të NATO-s për tendera në fushën e armëve.

Ahmetaj sugjeroi se përfshirja e kësaj kompanie në projekte të lidhura me shtetin shqiptar ngre pikëpyetje serioze për standardet e sigurisë dhe përzgjedhjen e partnerëve strategjikë.

Në vijim, Ahmetaj denoncoi edhe një zhvillim të fundit në strukturat ushtarake, duke deklaruar se kreu i Forcave të Armatosura është ndërruar pak kohë më parë dhe se personi i emëruar është vëllai i një miku të afërt të kryeministrit Rama.

“E bukura është që këta kanë ndërruar komandantin e forcave tokësore dhe kanë vënë vëllain e një miku të afërt të familjes, të përmendur në media. E dini pse? Se duan të bëjnë rrush e kumbulla paratë e shqiptarëve me Ron Yeffet. Po ku e gjeti këtë?” tha Ahmetaj.

Sipas tij, kjo lëvizje nuk është rastësore, por lidhet me plane për përvetësimin e pronave të ushtrisë, duke përdorur strukturat shtetërore si mbulesë ligjore.

About Redaksia

Check Also

Diaspora dhe tre dimensionet e Brain Gain

Andi Mustafaj Anëtar i Departamentit Brain Gain Zgjedhjet parlamentare të fundit nxorën në pah hendekun …