Nikollaq Neranxi
Biznesmen
Që mafia të futet në sektorin ushqimor, kjo nuk është e padëgjuar. Ne po përjetojmë tani atë çka përjetoi në vitet 90 Italia. Më lejoni shumë shkurt t’ju tregoj se si e zgjidh, të paktën për ata që na ndjekin, se këtu në sallë padyshim që e dinë po dhe mundësitë i kanë për t’i për të marrë informacionin. Pasi u çuan pas hekurave politikanët e lidhur me mafien, falë një drejtësie efiçente dhe një shoqërie që bënte presion për ndryshim, etapa e dytë ishte ndiq paranë. Dhe u zbulua se mafia kishte instaluar dhe investuar shumë edhe në sektorin ushqimor duke krijuar monopole dhe oligopole.
Madje u zbulua se ushqimet që ata shisnin ishin të gjitha jashtë standartit dhe të falsifikuara. Dhe është logjike. Imagjinoni mafien që shet drogë, të kujdeset për cilësinë e ushqimeve dhe për shëndetin e popullatës. Çfarë bëri Italia për ta luftuar këtë fenomen dhe si funksionoi? Në ndryshim nga ne që këto probleme i trajtojmë si shkelje administrative, italianët i trajtuan si krim i organizuar. U përdor kodi antimafia. U aplikua konfiskimi i pasurive edhe pa dënim penal përfundimtar.
Bizneset ushqimore u trajtuan si instrumente kriminale, jo si ndërmarrje tregtare. Natyrisht unë pres që drejtësia dhe opozita që ta ketë më në fokus këtë problem. Sot jemi në kushtet e një pushteti kriminal që punon në mënyrë më të sofistikuar dhe pa zhurmë. Shumë shkurt do të tregoj 10 vite më parë rastin kur më arrestuan në kompani sepse zhvillova një panair dhe dikush nga klientët kishte parkuar në një vend të që nuk lejohesh parkimi. Vijnë dhe më hedhin prangat. Më shoqërojnë në polici.
I bëj një SMS zotit Berisha, në atë kohë që ta denonconte këtë problem dhe gjej dhe rastin dhe ta falenderoj shumë. Por ama sot nuk bëjnë më gabime të tilla. Që të bien kaq shumë në sy. Ata sot janë gangsterë që vendosin rregullat e veta në një shoqëri tashmë të asfiksuar, që vetëm po i bindet të keqes dhe nuk po reagon. Disa vite më parë, për ta mbyllur, unë i bëra një thirrje bashkëqytetarëve të mi himariotë që të ngrihemi të bashkuar e të mos të lëmë mafien të na grabisë pronat tona, po t’i mbrojmë ne tokat dhe pronat e trashëguara.
Mirëpo ata nuk e prishën rutinën e tyre. Të bindur se do të ishin ca të tjerë që do të vinin dhe do të bënin luftën për ta. Kanë kaluar shumë vite dhe askush nuk erdhi të ndihmojë dhe pronat janë grabitur dhe po grabiten përditë. Pra betejat tona duhet t’i bëjmë vetë. Nuk i bën askush tjetër për ne. Edhe duke sakrifikuar.
Gazeta RD