Adriana Tolka: Interesi i përbashkët për rrëzimin e qeverisë nuk duhet të mbytet nga interesat personale

Jam Adriana Tolka, aktore në profesion dhe kam filluar angazhimin tim si qytetare në jetën politike në mbrojtje të kauzës së Teatrit Kombëtar dhe deri më sot nuk kam reshtur.

Do të fokusohem në dy gjëra të shkurtra. Do ta përqendroj fjalën time tek mosbesimi i thellë që është ngulitur në shoqërinë shqiptare: mosbesimi i qytetarit ndaj qytetarit, i qytetarit ndaj strukturave shtetërore, i qytetarit ndaj opozitës dhe, madje, mosbesimi që ekziston brenda vetë opozitës.

Për situatën e qeverisë u fol këtu. Sa i përket mosbesimit të qytetarit ndaj opozitës dhe mosbesimit që ekziston mes opozitarëve, ne këtu, në këto tryeza, nuk na lidh më së shumti dashuria, por na lidh një interes i përbashkët: rrëzimi i kësaj qeverie, e cila, pa u intimiduar, është shndërruar në armike të kombit, nisur nga dëmet e poshtra që ka shkaktuar.

Mendoj se ky interes madhor nuk duhet të eklipsohet nga interesat personale, të cilat nuk mund t’i mohojmë, secili prej nesh i ka, por që në jo pak raste kanë arritur deri në meskinëri dhe beteja jonë është kthyer shpesh në një luftë tavolinash.

Prandaj, në këtë kuadër, që interesi i përgjithshëm të fitojë, mendoj se gjëja kryesore që na duhet është sinqeriteti i mirëfilltë mes njëri-tjetrit. Në jo pak raste, opozitarë me kontribut të shquar nuk janë mbështetur dhe nuk janë vlerësuar nga të ngjashmit e tyre, për fat të keq. Dhe njerëzit, qytetarët nga jashtë, e dallojnë këtë energji.

Nëse nuk do të ketë sinqeritet mes nesh, është e kotë të flasim. Nuk do të arrijmë dot të rinjallim besimin te qytetarët e thjeshtë dhe te elektorati se ne nuk do të jemi njësoj si ata që po na qeverisin sot.

Së dyti, që të na bashkohen njerëzit në numër të madh, duhet që papajtueshmërinë me sektin e madhisë në fuqi ta kemi seriozisht. Dhe në këtë rast, seriozitet nuk do të thotë emfaza në fjalime, por konkretisht të marrim iniciativa: të ngulimojmë 24 orë, me turne, ne së pari, me familjarët tanë, kush mundet. Kjo punë nuk bëhet më me tërheqje.

Kam dëgjuar shpesh, sidomos në radhët e demokratëve, që thuhet se demokratët janë njerëz të lirë dhe nuk i detyrojmë dot. Jo. Në këtë rast, liria nuk ka këtë kuptim. Liria do të thotë që ti të jesh zot i zgjedhjeve të tua. Dhe në këtë rast, ne duhet të detyrojmë veten tonë.

Kjo nuk duhet kërkuar vetëm tek ata që drejtojnë opozitën, por edhe tek opozitari më i thjeshtë. Kjo punë nuk bëhet me tërheqje. Secili prej nesh, sipas mundësive, duhet të zërë sheshin. Këtë e kemi treguar në protestën e Teatrit Kombëtar.

Nuk ka zgjidhje tjetër përveçse secili prej nesh të vijë dhe të valëvisë flamurin. Flamurin e Partisë Socialiste? Jo. Flamurin e kauzës politike, sepse unë jam dakord që zgjidhja politike dhe spektri politik, i gjithë përmbajtja e tij, duhet të jetë për shpëtimin e kombit nga kjo gjendje masakre.

Atëherë, ky seriozitet dhe kjo punë janë edhe një shenjë për faktorin ndërkombëtar. Për fat të keq, nuk kemi mbështetjen që do të donim prej tij. Duhet t’u tregojmë edhe atyre se e kemi seriozisht, duke vepruar ne së pari.

Në këtë rast, qeveria do të ishte mes dy zjarresh dhe, me shpresë, edhe ata do t’i kemi në krah dhe më të pranishëm. E kemi parë: kemi shkuar, kemi takuar qytetarin sy më sy dhe nuk na kanë besuar. Sepse vetëm me fjalë kjo punë nuk bëhet. Duhet realisht me vepra, me sinqeritet për sa i përket përgjegjësisë që na takon dhe me seriozitet, që do të thotë qëndrueshmëri dhe vazhdimësi.

Ju faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Imuniteti i Ballukut, Berisha: Rama po përdor deputetët për t’i mbyllur rrugën drejtësisë!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se Edi Rama po shfrytëzon 83 mandatet në …