Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Fronti opozitar nuk ka synim dominimin e një partie, por krijimin e një fryme për largimin e këtij regjimi
Berisha theksoi se ky front është një akt qytetar i guximshëm, i cili ka si qëllim luftën kundër regjimit të Edi Ramës, të cilin ai e cilësoi si “të keqen më të madhe të këtij vendi.”
Berisha i bëri thirrje individëve, organizatave dhe forcave politike që nuk ishin pjesë e takimit të bashkohen në këtë front të gjerë opozitar, i cili synon krijimin e një aleance të fuqishme dhe jo dominimin e asnjë partie.
“Dje, po në këtë kuadër, thirrëm një takim jashtëzakonisht të rëndësishëm me shoqërinë civile dhe forcat politike.
Në emër tuaj, unë u shpreh edhe njëherë mirënjohjen më të thellë të gjithë atyre personaliteteve të fushave të ndryshme, të cilat pavarësisht nga pavarësia e tyre në kuptimin politik, pa asnjë afilacion partiak, por erdhën aty se të gjithë ata janë kundër të keqes që po përjeton vendin.
Aty u bashkuam kundër një të keqe të përbashkët dhe aty erdhën të gjithë ata që besojnë se Edi Rama është e keqja më e madhe e këtij vendi.
Ishte një akt i guximshëm qytetar i tyre, i përgjegjshëm i tyre.
Dhe unë i siguroj se ne do bëjmë gjithçka për të vazhduar me ta dialogun, për të dëgjuar zërin e tyre, këshillat e tyre dhe për të vepruar bashkërisht kundër kësaj të keqe.
Ftoj individë, organizata, forca politike të tjera që nuk ishin dje aty të bashkohen me këtë front si rruga më e sigurtë për të luftuar kundër kësaj të keqe.
Nuk ka synim ky front dominimin e një partie apo një tjetër, ka synim krijimin e një forumi, një fronti të përbashkët, një fryme të gjerë për të larguar nga pushteti një minutë e më parë këtë regjim që e meriton vetëm një cilësim: kakistokraci. Grekët e lashtë quanin të tillë më të keqin e regjimeve.
Dhe ky kështu është.
Diskutime të shumta u zhvilluan, mendime të çmuara u shprehën.
Ne do vazhdojmë përpjekjen për institucionalizimin e këtij forumi, kësaj aleance, ta quajmë si të biem dakord.
Urojmë dhe shpresojmë që kjo të shtrihet edhe në rrethe, në qarqe, në mënyrë që një përpjekje e madhe mbarëshqiptare të bëhet kundër këtij regjimi”, u shpreh Berisha.
Gazeta RD