DURANA, jo thjesht një plaçkitje!

Nga Irena BEQIRAJ

Si njohëse jo e keqe e Kodit Doganor dhe e ligjit të Zonave të Lira, Durana nuk është një lajthitje juridike, por një sajesë në kufijtë e marrëzisë.

Marrëzia e tejkalon sferën e korrupsionit. Një i korruptuar keqpërdor ligjin dhe procedurat ekzistuese për përfitime personale.

Një i marrë është indiferent karshi ligjit, pasi ligji për të nuk ekziston. Për të marrët, çdo mjet, çdo sajesë që i ndihmon për të arritur qëllimin, është legjitim.

Durana nuk është veçse përdorimi i “teknologjisë”, si doganieri për të kaluar mall kontrabandë, por ajo na ofrohet si kopje e zhvillimit teknologjik, në kushtet kur nuk ekziston fare origjinali.
Ajo është inskenim i realitetit, i cili redaktohet, rishkruhet dhe përpunohet në mënyrë që të zbehet vija ndarëse midis korrupsionit dhe zhvillimit.

Parku teknologjik Durana nuk është thjesht një aferë korruptive (sa mirë sikur të ishte vetëm e tillë); do ta ngushëllonim veten me frazën “korrupsioni ekziston në gjithë botën”.

Nuk përfaqëson as “kumbullat e dardhat” e konsumuara kryesisht nga gratë pranë Kryeministrit, prapa kurrizit të tij, dhe të gjithë “progresistëve” socialistë të drejtimit të partisë.

Ai është një nga shembujt e hipernormalizimit të marrëzisë që u lejua nga socialistët jo vetëm për përfitime ekonomike, por si strategji për përmbytjen e shoqërisë me gënjeshta, me qëllim çmontimin në mënyrë sistematike të infrastrukturës së fakteve.

Faktet që ne jemi një komb i cili, në vitin 2024:

-renditet në vendin e 84 në botë në Indeksin e Teknologjisë dhe Inovacionit dhe në vendin e parafundit në Europë;

-blen shërbimet dhe produktet e teknologjisë së informacionit duke zënë vendin e 66 në Europë në blerjen e inputeve teknologjike, por fatkeqësisht renditet në vendin e 97 në botë dhe i fundit në Ballkan për prodhimin e teknologjive, pra i fundit në outputin teknologjik;

-renditet në vendin e 84 në Indeksin e Gatishmërisë së Rrjeteve teknologjike, pikërisht për shkak të zhvillimit të ulët teknologjik, duheshin çmontuar!

Ndaj u duhej Diella, Durana, materniteti i Diellës, pasi publiku duhet të jetojë në iluzionin kryeministror se:
“Shqipëria është një komb që guxon të udhëheqë dhe jo të ndjekë, në ballë të shkencës dhe teknologjisë në këtë rajon”.

E pra, Durana, Diella dhe materniteti i saj nuk janë instrumente vetëm për të përfituar një grup njerëzish nga mospagesa e taksave dhe përfitimi pa tender i fondeve buxhetore, por krijime të sajuara me kujdes nga mendje djallëzore, që synojnë mpirjen e rebelimit tonë karshi atyre që na vjedhin jo më përmes forcës, por përmes rritjes së paaftësisë së njohjes.

Kanë shkelur vetëm ligjin, kanë përfituar padrejtësisht para publike? Jo. Ky është dëmi më i pakët dhe i rikuperueshëm.

Më keq! Ne sot po kuptojmë që jetojmë në marrëzi dhe askush nuk kursehet për të. Të gjithë këta të marrë gjejnë budallenj të tjerë për t’i duartrokitur.

About Redaksia

Check Also

Një lajm i padëshiruar për qytetarët shqiptarë në këtë fillim viti!

Nga Ylli ASLLANI Një ndëshkim që trondit jo vetëm qeverinë, apo ëndrrën amerikane të shqiptarëve, …