CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Pak fokus përpara pasqyrës së nxirë të Edi Ramës

Nga Ndriçim KULLA

Do të ishte e paimagjinueshme që, para 13 vjetësh, kur u bë rotacioni dhe ish-kryeministri Sali Berisha dorëzoi pushtetin në mënyrë demokratike, të ngjitej një monstrë në pushtet dhe t’i vinte kazmën kulturës politike të krijuar me stërmundim nga vetë shqiptarët, me ndihmën bujare dhe të sinqertë të vendeve demokratike.

Ai i ka kthyer përmbys arritjet dhe proceset demokratike, duke arritur deri aty sa të instalojë, së bashku me klikën e tij dhe me ndihmën e një segmenti të rrezikshëm ndërkombëtar, një diktaturë të re shqiptare në oborrin e Europës.

Kur fokusohem dhe qëndroj përpara pasqyrës së tij të nxirë, kam një ndjeshmëri të thellë dhe do të kisha dëshirë ta pyesja gjithmonë kryeministrin me nishane dhe rripa të kuq në dorë, në këto momente:

A mund ta përsëritësh edhe një herë atë shprehje që e ke përsëritur vazhdimisht: “Unë iki kur të dua unë vetë”? Ne kemi plotësisht të drejtën të pyesim, sepse jemi taksapaguesit e tu dhe ti duhet të na përgjigjesh. Gjithashtu, ende pretendojmë se kemi një dimension demokratik në këtë vend. A mund të përgjigjesh?! E ke për detyrim ta bësh.

Sepse duam të dëgjojmë zërin tënd të çjerrë, brenda së cilit tashmë duket sikur kërkon mëshirë arroganca jote, me një frikësim të qurravitur që mban në këmbë trupin e mbështjellë me poture dhe xhaketa cirku.

Për cirkun ke prirje të lindura dhe ky cirk të ka mbajtur deri tash në këmbë. E kam fjalën për cirkun politik që hedh si kryeministër i katapultuar, sepse për cirkun e artit nuk të kemi parë të qullosësh gjë ndonjëherë. Edhe sfida duhet të ketë një kontekst, aq më tepër kur e deklaron duke pretenduar se po e bën. Por ti e ke nxjerrë gjithmonë edhe sfidën jashtë kontekstit. Atë që thua gjithmonë, pikërisht këtë kemi parasysh.

Ti i bën sfidë vetvetes dhe krijon një absurd kur thua: “Unë do të iki kur të dua unë.” Kjo shprehje shpalos, në fakt, një qëndrim të thellë: që ti nuk ke për të ikur kurrë. Po çfarë je ti? Zeusi në Olimp, i cili, sipas mitologjisë, shkarkonte rrufe mbi të tjerët kur donte të ndëshkonte dikë?

Por edhe perënditë e Olimpit një ditë u ngritën kundër padrejtësive të Zeusit, i cili donte t’i zëvendësonte banorët e malit të perëndive me banorë të tjerë, të pangjashëm me ta.

Fiks atë që përpiqesh të bësh ti me shqiptarët, me axhendën globaliste të soroizmit dhe wokizmit të pështirë, ku shqiptarët i ke programuar t’i zbrazësh me një “terror të bardhë”, për t’i zëvendësuar me ardhacakë arabë dhe aziatikë. Prandaj i ke lulëzuar edhe kullat e tua të pakuptimta, si strehimore për ta.

Ti e ke kaluar edhe të keqen e Zeusit, këtu në vendin që po sundon me ligje dhe rregulla të dhuruara nga miqtë e sektit, për të të bërë mbret dhe për ta kaluar mbretin. Ti u bëre sulltan — të themi më saktë — sepse, ndonëse vishesh si kampion perëndimor me rroba mode à la Versace, Orienti është shpella e shpirtit tënd, që të zgjon në mesnatë nga gjumi, duke u kacavjerrë me duar e me thonj për të shfrytëzuar dobësitë e natyrshme të kësaj bote demokratike.

Ndoshta edhe sjelljen atipike ta porositën dhe ta modeluan të tjerë si dhuratë, për t’u dukur sa më origjinal, që në çdo hap që hidhje, pasi të dilje nga Tabili Saraj, njerëzit të kthenin kokën. Mjeshtrat e paguar me para si lumë nga djersa e të gjithëve ne, që ti na quan “kallp”, ishin krijuesit e vërtetë të ekstravagancës sate të shfaqur kudo.

Por ndoshta kjo do të mbetet edhe “krijimtaria jote e majave”, e cila, në pamundësi për të përjetuar artin përmes pikturave të dështuara në duart e tua që kur ishe i ri, kërkon ta gjejë këtë emocion të munguar te kjo lloj “uniforme”, që nuk krijon kënaqësi, por prodhon vetëm tërheqje të madhe vëmendjeje.

Gjithmonë ke pasur prirje — dhe kjo është e natyrshme për ty — të krijosh ekstravagancën dhe deliriumin tënd me bubullima dhe vetëtima, që të sjellin ndër mend poezitë e pashijuara kurrë të atyre poetëve tragjikë, që krijojnë zhurmë dhe gjëmime të pakuptimta dhe nuk arrijnë të shprehin asgjë estetiko-emocionale.

Gjithmonë silueta e hijes sate lëviz nëpër errësirë. Ke qenë kryeministër, por asnjëherë nuk ke thënë ku ishe, pse ishe, me çfarë të ardhurash ishe, kush ta pagoi resortin e masazhit, paratë e ndeshjeve të kripura sportive, darkën 11 mijë dollarë prej sulltani me kryezbuluesin e FBI-së në Nju Jork, apo ekspozitat e pikturave me flutura e miza që fluturojnë në mendjen tënde si “kryevepra”, të cilat, edhe kur ua fal njerëzve, mezi i pranojnë për politesë.

Kush, përveç diktatorëve, ka frikë nga llogaridhënia?

Kurrë nuk ke shfaqur qoftë edhe një moment vullnet të mirë për të pranuar një veprim verifikimi, qoftë edhe për një nga aktivitetet e përditshme të punës si kryeministër, në mënyrë që institucionet shtetërore t’i jepnin publikut, sipas ligjeve dhe praktikave ndërkombëtare, informacion mbi shpenzimet që kryen kryeministri ynë.

Blloku yt është gjithmonë i mbyllur dhe nuk mund ta shfletojë askush, përveç gishtërinjve të tu kacavjerrës, dhe çdo gjë mbetet brenda “perëndisë” që ke krijuar.

Udhëtimet e tua janë një mister më vete, ku askush nuk duhet të pyesë, sepse kushdo që guxon do të përballet me agresivitetin e përroit tënd psikik dhe me kundërpërgjigje që tregojnë qartë se ti nuk e kapërdin dot të vërtetën.

Ligji është tmerri yt. Dyshoj se kjo lidhet më shumë me nënvetëdijen tënde kontraverse, që e ke krijuar dhe ushqyer vetë, sesa me diçka biologjike. Ligji, për ty, nuk është një “kanun” që duhet respektuar, por diçka që ti ia imponon botës vetëm në marrëdhënie me pushtetin. Për ty, ligji më mirë të mos ishte shpikur fare, sepse marrëdhëniet do të kishin “zgjidhje” të tjera, sipas stilit dhe filozofisë sate të xhunglës dhe gënjeshtrës.

Më vjen ndër mend Eskili, tragjediani më i madh i Greqisë së lashtë, me modelin e tij të drejtësisë, i cili për shumëkënd mbetet burim frymëzimi si ligjvënësi më i madh i të gjitha kohërave, që e ngriti ligjin nga kanuni primitiv në themel të çdo drame dhe mesazhi që përcolli.

Do të doja që kritika ime të mos ishte kurrë e kurrës në këtë nivel ndaj kryeministrit të vendit tim. Do të doja vërtet të isha në rolin e butë të një intelektuali këshillues. Por armiqësia jote me të vërtetën, që e mban gjithmonë të fshehur, më detyron të ulëras dhe ta them me zë edhe më të lartë se:

“Këto të vërteta që na i ke fshehur në pushtetin tënd po na kthehen në tragjedi të mëdha.”

About Redaksia

Check Also

Për vrasësit me pagesë të Shtetit Ligjor të së Drejtës…

Nga Adriana KALAJA Gjithmonë kam mbajtur qëndrim korrekt, kur janë shkelur parimet e Shtetit Ligjor …