Gjekmarkaj: Vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm, duhet dekriminalizim i shtetit dhe rezistencë!

Në 35-vjetorin e themelimit të PD së Lezhës, deputeti Agron Gjekmarkaj tha se, vendi ndodhet në një “udhëkryq të rrezikshëm”, ku shteti ligjor është zëvendësuar nga korrupsioni sistemik dhe interesat e një kaste të mbyllur pushteti.

Gjekmarkaj u shpreh se shteti nuk u shërben më qytetarëve, por një grupi të lidhur me tendera, klientelizëm dhe interesa familjare, duke u kthyer në një “sekser” dhe jo në garantues të ligjit. Në këtë kontekst, u përmendën raste konkrete si afera e ish-zëvendëskryeministres dhe skandalet e AKSHI-t, si prova se korrupsioni nuk është përjashtim, por rregull.

Gjekmarkaj bëri thirrje për një reagim të fortë, duke deklaruar se “heshtja është bashkëfajësi, ndërsa qëndresa është e vetmja shpresë”. Plani i propozuar për daljen nga kriza përfshin organizimin e rezistencës qytetare dhe protestave masive.

Fjala e Gjekmarkajt

Të nderuar qytetarë të Lezhës, i nderuar profesor doktor Sali Berisha, të nderuar deputetë, kandidatë për deputetë, i nderuar zoti kryetar i Bashkisë Mirditë Mlyshi, e nderuar zonja kryetare Ndoja, të nderuar themelues, rithemelues të Partisë Demokratike. Sot jemi mbledhur në Lezhë, në këtë qytet me histori dhe dinjitet, për të përkujtuar 35 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, forcës politike që ndryshoi rrjedhjen e historisë dhe të Shqipërisë. Sot është një ditë respekti dhe mirënjohjeje. Respekt për burrat dhe gratë që patën guxim të ngrihen kundër diktaturës. Respekt për ata që hodhën themelet e pluralizmit politik dhe respekt i veçantë për njeriun që udhëhoqi Shqipërinë drejt lirisë, demokracisë dhe perëndimit, profesor doktor Sali Berishën.

Falë kësaj force politike dhe këtij lidershipi, Shqipëria njohu arritje historike, thyerjen e izolimit shekullor, liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, anëtarësimin në NATO, ndërtimin e infrastrukturës moderne dhe veprave madhore si rruga e kombit. Asfaltoi 11.000 km rrugë anë e mbanë vendit, ndërtimin e mijëra shkollave, ujësjellësve, rritjen e pagave dhe pensioneve, forcimin e seriozitetit dhe autoritetit të shtetit ligjor, goditjen e krimit, mbi 130 banda kriminale të çuara pas hekurave qysh në vitin e parë të qeverisjes, ndërtimin e gazsjellësit TAP, projekt strategjik europian dhe kulmin e respektit ndërkombëtar me vizitën historike të presidentit George Bush në Tiranë, përkrah Sali Berishës, si dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës e mbështetur fuqimisht nga qeveria e Partisë Demokratike. Por sot, pas 35 vitesh, jemi sërish në një udhëkryq të rrezikshëm.

Shqipëria po përjeton një nga periudhat më të errëta të demokracisë. Zgjedhjet e 11 majit u vodhën, vota u dhunua. Administrata u përdor si makineri elektorale, shteti u shndërrua në parti. Korrupsioni është bërë sistem, skandalet nuk kanë fund. Shteti nuk u shërben më qytetarëve, por një kaste të mbyllur pushteti të lidhura me tendera, klientelizëm dhe interesa familjare. Shteti është kthyer në sekser, jo në garant të ligjit. Pengimi i drejtësisë nga Edi Rama është i qartë dhe i dokumentuar. Rasti flagrant i zëvendëskryeministres, aferat e AKSH-it, milionat e shpërdoruara janë prova se korrupsioni nuk është përjashtim, ai është rregull në vendin tonë.

Ndërkohë qytetarët varfërohen, të rinjtë largohen, familjet nuk përballojnë jetesën, kudo ndihet shkretim, sikur jetojmë në një kohë mortaje. Përballë kësaj situate, heshtja është bashkëfajësi, qëndresa është e vetmja shpresë. Shqipëria ka nevojë për rezistencë qytetare, ka nevojë për protestë, për qeveri teknike që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka nevojë për dekriminalizimin e shtetit, të zyrave politike, të ekonomisë, të tenderave, të çdo cepi ku sot sundon korrupsioni dhe lidhja me narkotrafikun. Kasta e Rilindjes nuk përfaqëson shqiptarët. Ajo përfaqëson vetëm familjarët e vet dhe oligarkët e vet. Koha ka ardhur t’i kthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Le ta kthejmë shtetin te qytetari, ligjin mbi të fortët, shpresën tek të rinjtë, dinjitetin tek puna e ndershme. Partia Demokratike lindi si një lëvizje shprese dhe sot, pas 35 vitesh, ajo duhet të jetë sërish zëri i atyre që nuk kanë zë. Ndaj, i nderuar zoti Berisha, të nderuar demokratë dhe demokrate, historia na ka provuar se kur jemi të bashkuar, ne fitojmë. Kur jemi të vendosur, Shqipëria ecën përpara. Gëzuar dhe jetë të gjatë Partisë Demokratike. Rroftë Shqipëria, rroftë Partia Demokratike.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Çdo ditë e Edi Ramës në pushtet është një rrezik madhor për çdo shqiptar!

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se çdo ditë e Edi Ramës në pushtet është …