Për këdo që ndjek zhvillimet e vrullshme të këtyre javëve, s’është e vështirë ta lidhë mbiemrin e tij me njeriun më të përfolur në politikë, media dhe opinion publik, Ergys Agasin.
Julian Agasi është nipi i Ergys Agasit, “koordinatorit të Ramës me krimin”, siç e ka quajtur ish -zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj. Ai mban detyrën e nëndrejtorit të burgut të Durrësit, aty ku vuante dënimin Altin Ndoci, një i arrestuar për vrasje nga SPAK, i cili u arratis një ditë më parë nga spitali infektiv i Durrësit.
Sot Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë ndërmorrën një furtunë shkarkimesh në zinxhirin komandues të drejtorisë së Burgut të Durrësit, ndërsa 8 zyrtarë u shkarkuan.
U shkarkua drejtori i Burgut, Indrit Cerloj, ndërsa u arrestuan punonjësit e policisë së burgjeve Dezdemon Pazaj, Violeta Uka, Dorjan Saraçi, Sali Ferrollari, Fatjon Braçi, Preng Marvataj dhe Aranit Çela, si dhe punonjësi i burgjeve, Aulon Quku.
U pezulluan nga detyra shefi i policisë së burgjeve Afrim Zeqiri dhe shefja e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor Ylfete Sema.
Për nëndrejtorin Julian Agasi, asnjë masë. Për më tepër, në kohën kur drejtori i burgut është shkarkuar, ai mban automatikisht detyrën e titullarit, derisa Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve të emërojnë drejtorin e ri. /Zoom.al
Gazeta RD