Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij tha se, do bëjmë inventarin e përmbytjeve dhe do i dëmshpërblejmë të gjithë banorët kur të vijmë në pushtet.
Berisha e cilësoi këtë situatë si një tragjedi të shkaktuar nga dora e njeriut, duke e vënë fajin në qeverinë aktuale që, sipas tij, ka shpërfillur interesat e qytetarëve për të mbushur xhepat e saj.
“Më dramatike është situata e përmbytjeve home-made, e bërë nga dora e njeriut.
Jo shiu, shiun nuk e ka sjellë njeriu.
Por problemi është se në ultësirën e Durrësit, dy hidrovorë të fuqishëm, që e mbrojnë atë, dhe dy kanalet kryesore që e mbrojnë territorin e kësaj ultësire, ishin jashtë funksioni.
Hidrovori i Hamallës, patronazhistët i kishin vjedhur tre pompa të fuqishme mijëra e mijëra litra ujë në sekondë. Zhdukur të tria.
Vjedhur pompat, vjedhur motorrat. Mirrnin rrogat dhe pafytyrësisht gjer sot asnjë njeri nuk është bërë përgjegjës.
Por një njeri që të kujton njerëzit primitivë me qëndrimet e veta, por nuk është primitiv, fajësonte qytetarët se kanë hedhur letra dhe plastika në kanalet.
Ndërkohë, nga taksat e tyre janë marrë 40 e ca milionë euro për pastrimin e kanaleve, mirëmbajtjen e tyre dhe mbrojtjen e qytetarëve, por ato kanë përfunduar të gjitha në xhepat e Lubive të qeverisë, e banditëve të qeverisë.
Hidrovori i Porto Romanos është postuar në mënyrën më kriminale nga vendi, pika më e ulët që duhej të ishte, e kanë nxjerrë në një terren tjetër ku mbi 1 metër e gjysmë apo dy metra më lart, dhe atij nga 9 porta, gjysma nuk i funksionojnë fare.
Kështu dhe hidrovorët e tjerë me radhë.
Një shtet që figuron vetëm në drogë dhe në letër.
Dhe për të gjitha këto, fajet i paskan qytetarët.
Njeri primitiv që nuk mban përgjegjësi. Nuk është primitiv, është hajdut i tmerrshëm dhe ka frikë nga vjedhjet që ka bërë, të gjitha fatkeqësitë që kanë në themel vjedhjet e tyre.
Unë i përgëzoj deputetët për punën që bënë në solidaritetin e tyre ndaj qytetarëve të përmbytur.
U bënë zëri i tyre dhe do jemi zëri i tyre, i çdo shqiptari në nevojë dhe fatkeqësi.
Cinizmi i Ramaduros nuk ka kufi.
Pas 10 ditësh e mblodhi të ashtuquajturin komitetin e emergjencave civile dhe nuk shpalli gjendjen e emergjencës në mënyrë që të mos ketë detyrim për të kompensuar qindarkë për qindarkë dëmet e krijuara absolutisht nga indiferenca, korrupsioni, vjedhja e institucioneve të narko-qeverisë.
Ne jemi angazhuar në një lloj inventari me ato që mundemi.
I garantojmë qytetarët e këtyre zonave se zërin tonë do ta përdorim fuqishëm dhe në çdo kohë, kjo parti në pushtet do i dëmshpërblejë ata për çdo qindarkë që kanë humbur në këto mbytjeje.
Sepse ajo është një emergjencë dhe kërkon që shteti t’i përgjigjet, kurse ky do t’i fajësojë se kanë hedhur letra dhe plastika në kanale”, u shpreh Berisha.
Gazeta RD