DEKLARATË PËR MEDIA DREJTUESJA E DEPARTAMENTIT TË ARSIMIT NË PD, LILI SULA
Njoftimi i Kryeministrit Rama për ngritjen e një kampusi universitar në Durrës, i cili sipas tij do të “strehojë” edhe studentët e Tiranës, dhe do të zgjidhë problemin e qirave të larta në kryeqytet, është një tjetër përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga dështimet e thella të arsimit të lartë publik në Shqipëri.
Në vitin e 13-të në pushtet, kryeministri që i ka lënë studentët dhe arsimin e lartë në gjendje mjerane – pretendon se ka gjetur “zgjidhjen e artë”, largimin e studentëve nga Tirana drejt Durrësit bashkë me trenin ende imagjinar, qe ia prodhoi Diella.
Ky eksperimenti i radhës do të ketë pasoja të drejtpërdrejta: uljen e numrit të studentëve në Universitetin e Tiranës dhe përkeqësimin e kushteve të studimit. Studentët që jetojnë në Durrës dhe zonat përreth humbasin mbi katër orë në ditë vajtje-ardhje për të ndjekur studimet në Tiranë. – gjë që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e studimit dhe jetën akademike.
Pasi i mashtroi studentët me ndërkombëtarizimin, ndërkohë që asnjë prej universiteteve shqiptare nuk përfshihet në rankime ndërkombëtare;
- pasi i mashtroi me akreditimin e programeve studimore, prej të cilave ende nuk janë akredituar më shumë se gjysma e tyre dhe studentët mbajnë në duar copa letrash;
- pasi i mashtroi me mbështetje financiare për kredi studentore dhe bursa për degët prioritare;
- i mashtroi me kushte moderne akomodimi në Qytetin Studenti në Tiranë;
- sërish vetë kryeministri i transferon tashmë studentët në Durrës- universiteti “Aleksandër Moisiu” i të cilit pezulloi mësimin për ditë të tëra prej përmbytjeve.
Para se të miratonte ndërtimin e kampusit studentor në Durrës, kryeministri duhej të zgjidhte problemin e përmbytjeve për nxënësit dhe studentët.
Projekti i një kampusi studentor në Durrës pasqyron realitetin dramatik të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, i cili përballet me mungesë studentësh dhe mungesë infrastrukture dhe, nga ana tjetër, lidhet hapur me interesa ndërtimore korruptive.
Qendra e shërbimeve arsimore raporton se për vitin akademik 2024-2025, mbetën 10 mijë vende bosh ne auditorët universitarë, ndërkohë që studentët me mesataret më të larta zgjedhin universitetet jopublike.
Universitetet janë prej vitesh në agoni të plotë dhe për këtë autor i parë është zoti Rama:
nga ligji 80/2015 që po përpiqet ta arnojë, te financimi më i ulët buxhetor krahasuar me vendet e rajonit;
nga rënie drastike e numrit të studentëve te taksa vjetore më e lartë se vendet europiane që paguajnë ata;
nga varësia politike e administrimit të universiteteve te klima e frikës dhe shantazhit që është bërë e natyrshme për botën universitare.
Universiteti publik nuk është trajtuar kurrë si e mirë publike, por si “tepsi qokash” për interesa politike dhe klienteliste. Rasti i Kolegjit të Europës, i drejtuar nga ish zyrtarja e lartë e BE-së Federica Mogherini, është simbol i mungesës së transparencës, korrupsionit dhe keqmenaxhimit.
Në vend që t’i mbajë dhe mbështesë studentët në Tiranë E. Rama i largon ata në Durrës, duke pranuar dështimin e premtimeve të qeverisë për qendra studentore moderne në Tiranë, e njëherësh duke i nxitur të rinjve të largohen jashtë vendit.
Ftoj studentët dhe komunitetin akademik të reagojnë, të protestojnë më 24 janar dhe t’i japin përgjigjen një pushteti që përdor çdo mekanizëm për të shkatërruar arsimin e lartë dhe për t’i mohuar të rinjve të ardhmen në vendin e tyre.
Gazeta RD