Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” deklaroi se Mërkuri kishte ndërruar jetë për shkak të gjendjes së rëndë dhe se rastësia me ndërprerjen e energjisë nuk kishte lidhje.
Megjithatë, disa media online ngritën dyshime nëse vdekja mund të lidhej me ndërprerjen e furnizimit me energji dhe shkëputjen e pajisjeve jetike, duke sugjeruar mundësinë e një skandali që spitali po përpiqet të fshehë.
Në një deklaratë për mediat, QSUT pranoi se ndërprerja ishte e përkohshme, por nuk dha detaje për kohën që Reanimacioni – pavijoni kritik ku pacientët luftojnë për jetën, mbeti pa energji.
“Për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 të QSUT, ka pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike. Falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar trajtim të pandërprerë dhe duke mos cenuar jetën e pacientëve”, tha QSUT.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe OST pas rregullimit të defektit, pa specifikuar kohëzgjatjen e ndërprerjes në Reanimacion. OST deklaroi se “institucionet me rëndësi të veçantë u furnizuan me energji elektrike brenda pak minutash”, duke lënë hapësirë për paqartësi mbi efektin real të ndërprerjes mbi pacientët më të rrezikuar.
Gazeta RD