Nga Luçiano BOÇI

Në “agun” e saj kjo qeverisje premtoi të ishte një karvan në ecje, fjalë së cilës Rama i referohet sa herë kërkon të bëjë reklamë suksesesh.
Koha rrodhi por karvani ka mbetur.
Ka mbetur dhe “shurdhon” me zhurmën e tij, si pasojë e përbërjes.
Sepse nuk është as karvan suksesesh e as karvan idesh e arritjesh.
Është thjesht një karvan qensh që kutërbojnë, shurdhojnë e i bëjnë karshillëk njerzve që ecin drejt zemërimit e protestës.
Sepse në Shqipërinë e sotme, pushteti nuk qeveris më.
Ai vetëm thjesht leh.
Leh me propagandë pa frena me të gjitha tonalitetet: si kone, si bulldog, si volpino, si qen-ujk, sidomos si qen rruge.
Leh në parlament, në media, në reklama pa fund.
Leh për të mbuluar heshtjen e përgjegjësisë.
Leh për të mbrojtur korrupsionin e vjedhjen, sikurse leh për të zëvendësuar llogaridhënien.
Por leh dhe për të krijuar iluzionin e lëvizjes, ndërkohë që vendi rri në vend numëro.
“Karvani i qenve” të Edi Ramës është modeli perfekt i babëzisë së mbuluar me luks të shfrenuar, me jargë nepsi fitimesh dhe modeli një turme zërash, statusesh, sharjesh, ironish, militantësh dhe oborrtarësh që vrapojnë pas “tenderit”, “lejeve të ndërtimit”, “sallamit” a “sufllaqes” së ditës.
Vrapojnë pa drejtim, pa ide, pa pikë përgjegjësie…pas berihait e pas parasë së zezë.
Megjithatë me një qëllim të qartë.
Të bëjnë sa më shumë lekë e zhurmë.
Ky karvan nuk ecën drejt drejt mirëqenies, drejt shtetit të së drejtës.
Ai rrotullohet rreth vetes.
Rrotullohet për të mbajtur gjallë mitin e liderit, timonierit, udhëheqësit, ndërsa realiteti shkërmoqet ngadalë.
Argumentat janë zevëndësuar me tallje, zgjidhjet janë zhdukur me spektalël dhe vendin e rezultateve e kanë zënë sulmet ndaj opozitës.
Në këtë karvan, askush nuk mendon. Të gjithë vetëm reagojnë me buton.
Askush nuk merr përgjegjësi.
Të gjithë sulmojnë symbyllurazi kujt i vë gishtin shefi.
Institucionet janë kthyer në jehonë të zërit lehës të kryeministrit, ndërsa shteti në një skenë ku rëndësi ka kush leh më fort, jo kush ka të drejtë.
Problemi nuk është zhurma. Problemi është boshllëku që ajo fsheh.
Rezultati në fund është “gjellë qensh”.
Vendit i mungon vizioni. Qeveria inercon pa busull, ndërsa pushteti jeton nga konflikti, sepse nuk prodhon dot shpresë.
Ky karvani i qenve nuk ka destinacion.
Ai ekziston vetëm për të trembur, për të lodhur, për të mpirë shoqërinë.
Por historia ka një zakon të keq për pushtetet që vetëm lehin.
I përze sic e meritojnë, si qentë e rrugës: me “gur”.
Dhe ecja drejt protestës nuk ndalet!
Gazeta RD