Nga Arlind BAJAJ

Prej afro 10 vitesh, Shqipëria është duke u përballur me një krim të madh kundër njerëzimit. Shtypja dhe largimi masiv i qytetarëve shqiptar kanë arritur ta çojnë Shqipërinë në një gjendje të jashtëzakonshme: Fshatra të zbrazura, qytete të boshatisura, rritja e moshës mesatare, masiviteti i moshave të treta, ardhja e fuqisë punëtore nga vendet e varfra të lindjes, varfëria ekstreme, papunësia në shifra të larta, falimentimi i bizneseve. Të gjitha këto të ndodhura për një arsye të vetme, pasurimi deri në ekstrem i qeveritarëve.
Nëse do të flisnim për jetesën në Shqipëri, do të mjaftonte t’i referoheshim Institutit të Statistikave (INSTAT), i cili e cilëson rrogën minimale në Shqipëri përafërsisht 440 € në muaj (neto), ndërsa atë mesatare rreth 680 € (neto). Ndërsa nëse do të flisnim për çmimet, asgjë nuk do të kishte kuptim. Një qera minimale shtëpie është përafërsisht 450 € (për muaj) ndërsa çmimi mesatar për blerjen e një shtëpie është rreth 1’500 € (për m2).
Në të njëjtën kohë, Belinda Balluku, zv. Kryeministre gjithashtu Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, zotëron si aset në pasurinë e saj rreth 300 apartamente në Tiranë.
Mirëpo, Belinda Balluku nuk është një rast i vetëm i korrupsionit, të tjerë persona siç janë: Erion Veliaj, Alqi Bllako, Lefter Koka, Ilir Beqja, Vangjush Dako, Plarent Ndreca, Jurges Çyrbja, Saimir Tahiri, kanë kryer apo vazhdojnë të vuajnë dënimet e tyre për korrupsionin e vjedhjet e kryera por edhe pjesëmarrja në banda apo organizimi dhe udhëheqja e tyre.
Gjithsesi dënimet për këta qeveritarë nuk kanë qenë të mjaftueshme. Pasi ata kanë vjedhur miliona euro dhe arrijnë t’i shpëtojnë burgut dhe drejtësisë me më pak se tre vite dënim. E nuk do të kishte se si të ndodhte ndryshe në një shtet si Shqipëria, ku një kryebashkiak i korruptuar si Benet Beci, i cili shfrytëzon bandat për ardhjen e tij në pushtet, bën takime kokë më kokë me ish drejtuesin dhe zv. Drejtuesin aktual të SPAK (Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) Arben Kraja. Po ashtu, një tjetër prokurore e SPAK, Irena Gjoka, person që ka ndërruar pesë mbiemra, fsheh një dënim të marrë nga shteti grek që ka çuar deri në dëbimin e saj nga Greqia, për shkak të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara.
Teksa duket haptazi kriminaliteti në një strukturë të tillë jashtëzakonisht të rëndësishme, struktura të tjera siç është ajo e policisë vlen për t’u përmendur. Punonjësit e policisë përveç se kanë një kriminalitet më të lartë se SPAK, arrijnë të përfshihen në ngjarje kriminale për shkak të urdhrave të eprorëve të lartë. Ato urdhëra kanë arritur deri në rrëmbimin e qytetarëve, siç ishte edhe rasti i ish zv. Drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima. Por gjithsesi, shqiptarët duhet të ndihen më të sigurt, pasi me anë të kamerave që do të mbikëqyrin rrugët në gjithë Shqipërinë, të cilat arrijnë vlerën e 52’000 € (vetëm një prej tyre), e me anë të kamerave trupore të çdo polici, e cila arrin vlerën e 15’700 €, do të mund të parandalohen ngjarje të shumta kriminale.
Por raste të tilla nuk përmenden shpesh në publik. E si mund të përmenden në një vend ku televizionet të cilat janë kundër qeverisë mbyllen. Në vitin 2015, Agon Channel, një televizion i cili shpesh denonconte afera korruptive të qeverisë, u mbyll vetëm e vetëm për shkak të mos pëlqimit të saj. Pronari i këtij televizioni, Francesco Beçhetti, një biznesmen i njohur italian arriti të marrë 110 milion € (nga shteti shqiptar), pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Paris, si një dëmshpërblim për shkak të mbylljes së këtij televizioni në mënyrë të paligjshme dhe të padrejtë. Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në ambientet e televizionit News 24, një media mjaft e njohur në Shqipëri. Policia hyn në ambientet e këtij televizioni duke nxjerrë jashtë të gjithë gazetarët dhe duke ndërprerë menjëherë sinjalin e këtij televizioni. Mirëpo, kësaj here nuk ia arriti qëllimit për ta mbyllur edhe këtë televizion. Mirëpo, pronari i televizionit News 24 (Irfan Hysenbelliu), mesa duket qenka një armik i vjetër i qeverisë, pasi në vitin 2022, me një aksion që zgjati fare pak u arrit prishja e një hoteli në pronësi të tij. Ndërsa kjo çështje ende vazhdon, pasi i njëjti person tani ka kërkuar një shumë prej 300 milionë € në Gjykatën e Strasburgut nga shteti shqiptar.
Për t’u kthyer përsëri te televizionet, ato që ende kanë mbetur, nuk kanë kurrsesi se si të mos publikojnë lajmet e deformuara nga vetë kryeministri. Një shembull fare i qartë ndodhi në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ku Marco Rubio, sekretari amerikan i shtetit publikoi një urim për të gjithë shqiptarët, duke u kujdesur për të përmendur gjithashtu edhe kartelet e drogës të lidhura me Shqipërinë. Kështu Kryeministri, Edi Rama publikoi urimin, por jo plotësisht, duke “harruar” kritikën nga sekretari amerikan i shtetit në lidhje me kartelet e drogës. E si rrjedhojë, i njëjti urim u publikua nga pothuajse të gjitha mediat në vend.
Vetëm e vetëm sepse Kryeministrin tonë e prekin mesazhet që i jepen për lidhjen me kartelet e drogës. Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur lidhja e tij me kartelin Sinaloa të Meksikës është më e dukshme se kurrë. Në një emision të tij, Dan Bongino, ish gazetari dhe ish nëndrejtuesi i FBI, pas publikimit të lidhjeve të Edi Ramës me ish drejtuesin e FBI në New York, Charles McGonigal, zbuloi gjithashtu edhe për lidhjen e tij me Lyftar Hysën, kreun e familjes Hysa. Luftar Hysa njihet për ortakëritë me kartelin Sinaloa, gjithashtu edhe për pronësinë e një rrjeti kazinosh në Shqipëri, ku dyshohet për ortakëri në këtë fushë me vëllain e kryeministrit, Olsi Rama. Por, gjithsesi ai nuk mundi t’i shpëtonte bizneset e tij në Amerikë, pasi ato iu sekuestruan nga FinCEN.
Në një dalje të tij në vitin 2019, kryeministri Edi Rama shprehej se ishte i prekur për varfërimin e shqiptarëve nga bastet dhe kazinotë dhe gjithashtu edhe varësia që ata kishin krijuar nga ky ves. Mirëpo, koha e vërtetoi se ai nuk ishte aspak i shqetësuar për këto fakte, por e vetmja gjë për të cilën ai ishte i shqetësuar ishte biznesmeni Ervis Martinaj. Në vitin 2021, gjatë një takimi ai i jep një mesazh biznesmenit, duke e kërcënuar se i dinte targat e makinave. Vlen për t’u theksuar fakti se Ervis Martinaj është një person i cili është i zhdukur për më shumë se tre vite.
Nëse do të duhej të vazhdonim të përmendnim ende elemente nga shkatërrimi i këtij shteti, arsimi do të ishte hapi i radhës. Në projektin PISA, i cili teston nxënësit e arsimit të mesëm, rezultatet e Shqipërisë janë gjithmonë në ulje. Në rezultatet e fundit, Shqipëria renditej më poshtë se Palestina, shtet i cili është në luftë për më shumë se dy vite.
Të gjitha këto kanë arritur në degradimin e një shoqërie të gjithë, e një kombi të gjithë. Në largimin e më shumë se një milionë shqiptarëve, në keqedukimin e pjesës së mbetur të popullatës. Në shkatërrimin ekonomik të gjithë popullsisë, me qëllimin e vetëm, pasurimin e pushtetarëve, e qeverisë, e kryeqeverisësit, e Edi Ramës. Personit që shfrenohet në luks, dehet me një shishe verë me vlerë 33’000 € dhe vjedh në një kopsht në zyrën e tij, i cili ka vlerë mbi tre milionë €.
Gjithçka ka arritur kulmin, nuk mund të durojmë më. Jemi një popull pa ëndërr, pa të ardhme. E vetmja rrugë që ngelet me një diktator të tillë është përballja! Revolta! Ngritja! Ndryshimi! Për të ardhmen tonë! Për Shqipërinë!
Gazeta RD