Belinda Balluku duhet të ishte dorëhequr nga detyra dhe të përballej me drejtësinë pa mbrojtjen e qeverisë dhe mazhorancës, pasi provat e SPAK mund të dëmtohen dhe të rrezikohet hetimi.
Kështu u shpreh gazetarja Klodiana Lala në “News 24” gjatë emisionit “Kjo Javë”, duke folur për zhvillimet më të fundit të dosjes “Balluku” dhe seancën në Kushtetuese.
Ajo u shpreh se, seanca e djeshme e Kushtetueses nuk u ngrit në lartësinë e duhur, ku palët nuk dhanë argumente bindëse. Por sipas Lalës, kjo është një strategji e kryeministrit Edi Rama, për të krijuar një koracë mbrojtëse ndaj drejtësisë, pasi nesër SPAK mund të shkojë edhe tek ai.
“Zonja Balluku duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Ajo rrezikon prishjen e provave dhe arratisjen sipas SPAK, ndaj u vendos masa e sigurisë. Por deri tani ajo nuk ka dhënë shenja për arratisje. Seanca e djeshme nuk u ngrit në nivelin Kushtetues, përfaqësuesit e qeverisë dhe presidencës nuk u ngritën në nivelin e tyre në argumentim, por mbetën në nivelin e gjykatave normale.
A duhet të mbajë përgjegjësi ministrja për rastin kur Prokuroria thotë se po prish provat. Kush mban përgjegjësi nëse prokurorit i dështon hetimi, ndërsa ajo vijon të jetë në detyrë?”, u shpreh ajo.
Zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës, mashtrimi i radhës i Belinda Ballukut
Kurse për strategjinë e kryeministrit, shpjegoi se:
“Kemi një zv/kryeministre për herë të parë të pezulluar, nuk ka ndodhur asnjëherë. Kemi një kryeministër që ka atakuar menjëherë pa pritur dhe ndjekur shkallët nga Apeli dhe Gjykata e Lartë, por duke e çuar në Kushtetuese. Rama duket se po krijon koracë mbrojtëse për të parandaluar atë që mund të ndodhë me të në të ardhmen”.
Në lidhje me argumentet e Qeverisë se pezullimi i ministres pengon integrimin e vendit në BE, Lala tha se kjo ishte absurde, pasi ikën Balluku dhe mund të vijë një ministre tjetër, pasi PS ka figura të tjera.
“Përdori disa argumente që janë absurde, sikurse pengimi i integrimit të Shqipërisë drejt BE. Ikën Balluku dhe vjen një emër tjetër. Pse duhet të bllokohet integrimi? Ka deputetë dhe figura të tjera në PS”, tha gazetarja.
Por referuar shpjegimit të mësipërm, Lala komentoi se brenda PS ka klane që luftojnë se kush do të jetë pasardhësi i Ramës në parti.
“Por duket se ka një luftë të ashpër mes klaneve brenda PS-së. Sepse aty të gjithë synojnë vetëm një gjë, që të pasojnë Ramën në krye të PS. Të gjithë e shohin nga jashtë, por nga brenda ka një luftë dhe kuptohet qartë, se ka luftë brenda PS-së mes klaneve”, nënvizoi ajo.
Gazeta RD