Protesta në Durrës/ Banorët: Bashkia po na shemb shtëpitë, ata që paguajnë do shpëtojnë!

Banorët e zonës së “Urës së Dajlanit” kanë dalë sot në protestë për shkak të projektit të Bashkisë së Durrësit, për urbanizimin e zonës.

Bashkia pritet të ndërtojë një rrugë dhe lulishte, teksa banorët thonë se janë edhe në proces legalizimi dhe kanë paguar taksat rregullisht.

Me pankarta në duar dhe thirrje, ata kërkojnë nga bashkia strehim dhe pagesën e qirasë, që të mos mbeten rrugëve.

Autoritetet kanë dërguar shkresa para dy ditësh dhe kërkojnë boshatisjen, kurse sot aksioni u anulua për shkak të protestës së banorëve. Afati që u kanë lënë është vetëm 10 ditë.

“Jetoj prej vitit 1998 këtu, me proces legalizimi. Afat 10 ditë, para dy ditësh ka ardhur, nuk kemi ku shkojmë, kemi gati 30 vite këtu. Kam edhe dy fëmijë, madje njëri autik, paguajmë ilaçe, shpenzojmë dhe nuk kemi para”, shprehet një prej banorëve gjatë protestës.

Banorët argumentojnë se nuk është faji i tyre se kanali bllokohet herë pas here, pasi përgjegjës janë të tjerët. Ata thonë se janë dakord për prishjen, por në fillim t’u garantohet strehimi.

“Jam i shqetësuar nga projekti i pastrimit të kanalit këtu. Do spostohet kanali, do na prishen shtëpitë. Ata që paguajnë do shpëtojnë. Thonë se do bëhet lulishte, do bëhet rrugë. Ka vend plot për ta bërë, pse këtu. Kemi që nga viti 1998, paguajmë ujë, drita, kemi nisur legalizimin, taksat, edhe votën ua kemi dhënë, Ramës ia kemi dhënë madje. Meqë shteti do bëka diçka, të na ndihmojë, të na dërgojë në një banesë me qira, kërkojmë strehim nga Bashkia të paktën a ndihmë, duam të strehohemi”, tregon një tjetër banor.

About Redaksia

Check Also

Diaspora dhe tre dimensionet e Brain Gain

Andi Mustafaj Anëtar i Departamentit Brain Gain Zgjedhjet parlamentare të fundit nxorën në pah hendekun …