Një situatë e paprecedentë është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në Bashkinë e qytetit të Vlorës.
Dhjetëra tregtarë kanë mësyrë brenda bashkisë, pas paralajmërimit për mbylljen e tregut industrial të qytetit.
Tregtarë janë futur me forcë brenda institucionit, në shenjë revolte ndaj vendimeve që po i nxjerrin sipas tyre në rrugë dhe po i lënë pa punë.
“Po na nxjerrin në rrugë, jemi hallexhinj, na lanë pa punë”, dëgjohen të thonë tregtarët, të cilët akuzojnë Bashkinë e Vlorës për mungesë dialogu.
“As s’kam vrarë, as s’kam prerë, as me drogë s’i kam marrë. Vetëm me djersën e ballit”, tha ajo, duke këmbëngulur se nuk do të largohet nga vendi i saj i punës në asnjë rrethanë. “Aty ku jam, aty do të qëndroj dhe nuk lëviz. Merr armët dhe më vrit!”, thotë një tjetër qytetare për mediat.
Tregu Industrial në Vlorë pritet të mbyllet, pasi bashkia u ka dhënë tregtarëve afat tre ditë për t’u larguar nga ambientet aktuale.
Sipas njoftimit zyrtar, në këtë zonë është parashikuar të ndërtohet një treg i ri, por tregtarët shprehen të shqetësuar se projekti mund të mos realizohet, ndërsa kanë akuzuar autoritetet për mungesë transparence dhe përgjegjësie.
Gazeta RD