Organizatat e medias dhe shoqëria civile kundër draftit për shpifjen

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe të lirisë së medias u mblodhën përpara Kuvendit të Shqipërisë, pak para seancës plenare ku pritet të votohet paketa e ndryshimeve në Kodin Penal që lidhen me shpifjen, fyerjen dhe sigurinë e gazetarëve.

Në një deklaratë për mediat, Blerjana Bino nga SCiDEV theksoi se shoqëria civile e ka ndjekur procesin që nga fillimi dhe ka kontribuar në konsultimet publike me një kërkesë të qartë, dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes, në përputhje me standardet evropiane.

Bino paralajmëroi se teksti që pritet të votohet nuk e realizon dekriminalizimin e plotë.

Sipas saj, përjashtimi i parashikuar është i kufizuar dhe i bazuar në status, vetëm për “gazetarë të regjistruar dhe të njohur” dhe vetëm për veprën e shpifjes, ndërsa fyerja mbetet vepër penale.

“Çdo përpjekje për të rregulluar profesionin sjell pasiguri juridike dhe frenon lirinë e shprehjes. Kjo nismë frenon edhe aktivistët e shoqërisë civile për t’u shprehur. Këto nuk janë shqetësime vetëm tonat, por edhe të shumë strukturave të tjera. Duam të theksojmë se reforma për dekriminalizimin nuk i zgjidh të gjitha sfidat.

Kërkohet një reformë më e gjerë, që përfshin kushte më të mira pune dhe mbrojtje nga presionet politike. Kërkohet një agjendë më e thellë dhe jo ndryshime të cekëta. Kërkojmë që mazhoranca dhe deputetët e Kuvendit ta përmbyllin këtë reformë në mënyrë të plotë”-deklaroi për mediat Blerjana Bino, përfaqësuesja e Organizatës së Medias.

About Redaksia

Check Also

Ish-zv.ministri i Arsimit të Ramës denoncon/ 17 milionë euro shkuan në xhepat e Mogherinit

Në kryeqytet, në zonën e njohur si “Qytet Studenti”, ku ndër vite strehohet numri më …