Seanca e sotme plenare në Kuvend ka nisur me tensione, ku pritet të diskutohet mes të tjerash rishikimi i buxhetit të vitit 2025 dhe ndryshimet në Kodin Penal.
Në rend dite janë parashikuar 19 projekt ligje, për të cilat Partia Demokratike ka shpërthyer në kritika.
Deputeti i PD, Luçiano Boçi theksoi se, një veprim i tillë është komplet pa arsye dhe se po e kthen institucionin ligjvënës në një hapësirë jofunksionale.
Duke e krahasuar Kuvendin me një kioskë, Boçi u shpreh se kjo mënyrë e të vepruarit po i merr frymën parlamentit dhe po e pengon atë të kryejë funksionin e tij themelor, atë të debatit dhe kontrollit.
Fjala e Boçit
Kryetar, zoti Peleshi, kur kam marrë fjalën në seancat e mëparshme, ishte fjala e parë dhe kam përcaktuar, kam paralajmëruar që po tentohet që kjo hapësirë të bëhet një hapësirë pa arsye, pa thënë hapësirë e çmendur se më dukesh fjalë shumë pezhorative, me ngarkesë emocionale. Por sot po e shoh që kjo hapësirë, jo pa arsye, po po bëhet tërësisht e çmendur. Sepse ju listuat një seri projektligjesh, shumë të rëndësishme. Dhe të gjitha këto projektligje i keni ndërkallur, ndërfutur, përmbledhur në një seancë të vetme.
Dhe kjo është komplet pa arsye sepse dhe krahasimi me hapësirën e çmendur është i logjikshëm në këtë rast. Por, ajo hapësira e çmendur përtej parlamentit ka një arsye objektive. Është pa dashje. Po të bëhesh i çmendur me dashje, bëhesh qesharak. Ka shumë forma për t’u bërë qesharak. Këtë parlament po e bëni të çmendur dhe qesharak, njëkohësisht. Sepse ato projektligje që listuat, që ne i kemi përpara, secili prej tyre mund të kërkonte seancë më vete.
Nuk po themi këtë gjë, nuk e kërkojmë, është ekstrem, po të fusësh 19 projektligje kaq të rëndësishme në një seancë, është për t’i kaluar kot, për t’i hedhur hi syve shqiptarëve, publikut. Pse duhet ta bëjmë ne këtë gjë? Pse nuk shtojmë seancat? Është kërkuar dhe më parë nga kolegët e mi. Hajde të shtojmë seancat e parlamentit. Nuk ka asnjë ndalesë për ta bërë një gjë të tillë. Kjo është për ta bukos parlamentin, për t’i marrë frymën parlamentit. Sepse e keni pa objektiv dhe e keni objektiv.
Ky nuk është parlament, është kioskë. Hajde të kalojmë këtë, atë, atë. Projektligje shumë të rëndësishme. Është projektligji për komisionet hetimore, do debat. Për dhunën, do debat. Dhe normal të gjitha projektligjet e tjera duan debat nga parlamentarët, sepse për këtë punë janë zgjedhur, sqarojnë edhe zgjedhësit e tyre. Në qoftë se ne vazhdojmë kështu, atëherë kjo nuk ka kuptim. Shtoni seancat. Ka qenë kërkesë dhe e jona në konferencën e kryetarëve. Ju lutem shumë, reflektojeni një gjë të tillë. Mos e çmendni më shumë këtë parlament. Faleminderit!
Gazeta RD