“Nuk duhet të jesh në zyrë kur të vriten njerëz…”/ Dëshmia e Metës dhe mesazhi që mori para 21 janarit

Ilir META
Të vërtetat e 2𝟏 𝐉𝐚𝐧𝐚𝐫𝐢𝐭, 𝟏𝟒 𝐒𝐡𝐭𝐚𝐭𝐨𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐜̧𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐣𝐞𝐬 𝐇𝐚𝐣𝐝𝐚𝐫𝐢
Kur njerëzit me integritet nuk i thonë të vërtetat, veçse ndihmojnë falsifikatorët e historisë të legjitimojnë gënjeshtrat e tyre.
Jo vetëm kaq, por edhe detyrohen të dëgjojnë leksione për “standarde morali” nga njerëz që me moral kuptojnë vetëm borderonë ku paguhen (në të bardhë apo të zezë).
Akoma më keq kur dëgjon gënjeshtra nga ish-drejtues institucionesh që mbajnë përgjegjësi për veprimet apo mashtrimet kur ishin në detyra shtetërore apo qeveritare.
𝐋𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐧𝐢𝐬𝐢𝐦 𝐦𝐞 𝟐𝟏 𝐉𝐚𝐧𝐚𝐫𝐢𝐧 𝟐𝟎𝟏𝟏
Dëgjova edhe një gazetar të njohur se kur atëherë për 700 mijë euro u bë nami në 21 Janar, tani duhet të bëhet hataja kur flitet me dhjetëra milion euro, etj. (Kjo është përmbledhje sintetike e imja)
Nëse populli vërtet do ishte revoltuar për atë montazh të stërprovuar më 11 Janar do kishte dalë që atë natë në rrugë (siç ka ndodhur në Hungari e vende të tjera). Ja maksimumi ditën tjetër. Por 21 Janari ndodh vetëm 10 ditë pas publikimit.
Ndërkohë përgatitjen për 21 Janarin kishin nisur muaj më parë.
Pas një viti në krye të Ministrisë së Jashtme, pasi kishim përmbyllur me sukses çështje madhore si vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, si edhe liberalizimi i vizave pas takimit vendimtar të Sarajevës, por edhe pas zmbrapsjes së Projekt-Rezolutës së Serbisë në OKB kundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ramë dakord me Kryeministrin Berisha, për të bërë rokadë brenda 2 ministrive që drejtonte Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI).
Arsyeja kryesore ishte jo vetëm se unë i kisha përmbushur objektivat kryesorë në MPJ, por edhe se e kisha të pamundur të drejtoja në mënyrë efektive LSI-në, ndërkohë që po afronin zgjedhjet vendore.
Në një vit kisha kaluar gati 170 ditë jashtë shtetit.
Këtë vendim ia komunikova edhe zotërisë me të cilin do bëja rokadën.
Edhe pse i palumtur ai i mirëkuptoi argumentat e mia.
Por çuditërisht pasdite më mbërrijnë nja 2 sms të tij, ku më thoshte se nuk ishte dakord me këtë rokadë dhe se duhej ta vlerësoja edhe njëherë këtë ide se përndryshe ai kishte përgjime me mua.
Kaq mjaftoi që ai të “shkarkohej” pa u propozuar.
Këto mesazhe të tij ia kalova forward Kryeministrit Berisha dhe i bëra të qartë që ky nuk mund të ishte Ministër i Jashtëm dhe i propozova Z. Edmond Haxhinasto, më një përvojë të çmuar diplomatike.
Kështu që shantazhi u shpërblye me shkarkim dhe jo me “negociata”.
Disa javë më vonë shantazhisti bëri të penduarin duke më kërkuar falje në celular dhe po kështu edhe takim i cili u zhvillua te “Piazza”.
Pasi kërkoi falje për “nxitimin” më solli një ofertë “fantastike” nga Edi Rama.
Thelbi i ofertës ishte që unë të bëhesha Kryeministër dhe ta bënim Qeverinë sipas dëshirës tonë dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të na mbështese pa kushte.
“O shoku, – e pyeta, “unë si do jem Kryeministër me 4 deputetë?”
Unë kisha mbi 60 deputetë si Kryeministër dhe u largova vetë se nuk mund të pranoja kushtet e pakicës parlamentare të Fatos Nanos.
Në fund, shantazhisti më tha se nëse unë bëhesha Kryeministër ai nuk do t’i nxirrte përgjimet.
Kuptohet që këtu biseda mbaroi “me sukses” sepse “i penduari” u bë recidivist.
Pak ditë më vonë një pronar mediash që ishte mik i përbashkët më kërkoi takim urgjent te “Rogneri”.
Kujtova se kishte ndonjë hall të tij, por ai kishte merakun tim.
Më tregoi një foto ku isha unë me shantazhistin në zyrën e këtij të fundit.
“Çfarë urgjence ka kjo?”, – e pyeta unë.
“Ma tha ai, – më tha pronari i medias, “dhe do e publikojë përgjimin nëse nuk e pranon propozimin”.
“Faleminderit prej teje, – i thashë, “por i thuaj atij të publikojë ç’të dojë dhe kur të dojë”.
Natyrisht shantazhisti duke menduar se unë e merrja për bllof kërcënimin e tij më kishte çuar lajmësin për të më treguar “provën” se nuk bënte bllofin.
Por si njeri i përgjegjshëm që e di shumë mirë se çfarë firmos, por edhe se çfarë them në çdo rrethanë, isha shumë i qetë dhe i sigurt se asgjë implikuese nuk mund të kishte në bisedat e mia.
Për të gjitha këto, natyrisht kam informuar Kryeministrin Berisha. Ndërkohë kisha marrë masat për zëvendësimin e tij si deputet, me deputet të Partisë Socialiste, në kohën që ai do të “dezertonte” nga shumica jonë.
Po kështu, gjatë Dhjetorit 2010 dhe fillim Janarit 2011, gati 90% të kohës e kalova në krye të Komitetit Qeveritar për Emergjencën për shkak të përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë.
Natyrisht edhe për shkak të lidhjeve të mia personale edhe me deputetë e funksionarë të Partisë Socialiste në këto dy zona, u informova për porositë që kishin marrë për të përgatitur njerëzit, që të bëheshin gati për një revolt të paparë, sepse do plaste një superskandal në media në fillim të Janarit.
Kështu, që montazhi i 11 Janarit nuk ishte aspak i papritur për mua dhe disa të tjerë.
Menjëherë në 12 Janar, në mëngjes, i nis një shkresë zyrtare Kryetares së Kuvendit, ku e njoftoja se hiqja dorë nga imuniteti im.
Pas këtij veprimi, dola në konferencë shtypi në Ministrinë e Ekonomisë, ku bëra publik heqjen dorë nga imuniteti si deputet dhe e ftoja Prokurorinë të hetonte rastin dhe po kështu iu përgjigja çdo pyetje të gazetarëve.
Ndërkohë, ditën tjetër, më 13 Janar, pranova ftesën e gazetarit të njohur, Blendi Fevziu, për të dalë në “arenë” me një panel analistësh që do i zgjidhte ai.
Pas një debati të flaktë dhe të pakompromis, pyetjes se a do jepja dorëheqje iu përgjigja se unë kam hequr dorë nga imuniteti dhe kjo mjafton.
Por ditën tjetër, sapo gdhiu dita, një i panjohur trokiti të më sillte një porosi nga jashtë, nga një mik i jashtëzakonshëm dhe shumë i informuar.
Porosia ishte se duhet të japësh sa më parë dorëheqjen dhe ti nuk duhet të jesh në zyrë (Ministri) kur të vriten njerëz, sepse situate është më e rënduar se ç’e mendon ti.
Duke patur besim absolut në integritetin dhe dashamirësinë e porosi-dërguesit, shkova menjëherë në zyrë dhe përgatitja dorëheqjen e parevokueshme nga Zv/Kryeministër dhe Ministër i Ekonomisë dhe shkova të takoja Kryeministrin Berisha për t’i bërë të ditur vendimin e ri, si domosdoshmëri për të lehtësuar pozitën e Qeverisë, si edhe për të sfumuar sa të mundej alibinë e gjak-kërkuesve.
Po kështu, i paraqita propozimin për zëvendësuesit e mi, nga postet e Zv/Kryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë dhe nga ajo ditë (pra një javë para 21 Janarit) nuk shkela më në atë ministry.
Po atë ditë, në mesdrekë, Asambleja e Partisë Socialiste shpalli 21 Janarin, si ditën e protestës dhe qametit.
Ndërkohë pak ditë para 21 Janarit, i panjohuri, u rishfaq, për të sjellë të dhëna të reja dhe një porosi të re për mua.
Të dhënat e reja ishin se situata po rëndohej pasi organizatorët po rekrutonin shumë elementë kriminalë në terren për 21 Janarin.
Po kështu, porosia e mikut nga jashtë ishte se më 21 Janar, unë nuk duhet të qëndroja në shtëpi pasi banesa mund të sulmohej nga elementë kriminalë.
Përgjigjia ime ishte falenderuese për mikun tim, për kujdesin e tij, por i thashë se nga zyra ika se nuk është e imja, por nga shtëpia nuk mund të largohem.
Pas kësaj, më 18 Janar kam bërë konferencë shtypi në selinë e LSI-së ku kam paralajmëruar Edi Ramën për të hequr dorë nga rekrutimi i elementëve kriminalë për të nxitur dhunë dhe gjakderdhje.
Të shqetësuar për mosvlerësimin e duhur të organizmit të “nëndheshëm” të protestës nga autoritetet ligjzbatuese në 20 Janar, i kemi dërguar një letër informuese Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për të dhënat më shqetësuese që kishim ne si LSI.
Fatkeqësisht, dhuna nuk u parandalua në kohën e duhur edhe pse për ditë të tëra në televizione bëhej thirrje e hapur për dhunë dhe viktima.
Nuk ishin socialistët (anëtarët dhe simpatizantët) që sulmuan me dhunë (gura, hunj, etj) Kryeministrinë.
Socialistët ishin te ura e Lanës dhe përtej.
Por ishin të rekrutuarit dhe të importuarit që për 3-4 orë sulmuan pa rreshtur policinë derisa u konfrontuan me Gardën.
Parandalimi i elementëve kriminalë përpara mitingut, nuk kishte funksionuar.
As marrja e masave për shpërndarjen paqësore të demonstruesve.
Nuk është detyra ime të hetoj se përse nuk u parandalua një gjakderdhje e paralajmëruar me kohë.
Madje kjo duhej të hetohej në kohë nga Prokuroria e Përgjithshme.
Por gjurmët e organizatorëve atëherë ishin shumë të freskëta dhe u duhej dhënë kohë për t’i “pastruar”.
Por, le t’i kthehemi disa të vërtetave, me video-montazhin që u përdor si alibi për të thirrur protestën.
Së pari, as një agjensi zyrtare e SHBA, Britanisë së Madhe etj, nuk pranoi të bëjë ekspertizën e videos, sepse e dinin më mirë se sa ne se çfarë ishte.
Së dyti, çuditërisht në vend që Prokuroria ta çonte videon te një ekspert audio, e çoi te një ekspert privat kompjuterash (pra video).
Ndërkohë, aty nuk ishte problem te video, pra se kush ishin dy personat.
Problemi i vetëm dhe kryesor ishte vërtetësia e bisedës të shoqëruar me titra dhe nëpërmjet edhe montimeve të bëra.
Pra, rastësisht eksperti amerikan, gjatë kërkimit të tij në orën e dorëzuar nga “denoncuesi i korrupsionit”, gjeti plot video të tjera të tij, të cilat ai i kishte bërë “delete” duke menduar se ishin zhdukur përgjithmonë.
Rekuperimi i tyre, përveç se ekspozonte plot politikanë, biznesmenë dhe gazetarë të përgjuar, jo vetëm në zyra, por edhe në shtëpi, evidentoi edhe një video ku dukeshin vërtet me sy 80 mijë euro që zotëria i merrte nga Zv/Ministri i tij në shtëpi.
Për këtë, Prokuroria u detyrua formalisht të niste një hetim, meqënëse eksperti amerikan ja kishte dërguar me procesverbal këtë rast.
Por te askush nuk e përmend dhe mirë bëjnë (b)analistët.
Le të vazhdojmë me hetimin tim.
Në mënyrë të qëllimshme, Prokuroria, shkelte vazhdimisht procedurat e hetimit duke shpresuar se unë do të kërkoja mbyllje me procedurë të çështjes në gjykatë.
Edhe pse ne kërkuam dhe insistuam që ekspertët tanë të ishin të pranishëm në çdo ekspertim që do përzgjidhte Prokuroria, kjo nuk ndodhi kurrë qëllimisht.
Çuditërisht, Prokurori që u caktua të drejtojë çështjen time, në periudhën e zbatimit të Reformës në Drejtësi, në kuadër të verifikimit të figurës, u shpall nga Autoriteti i Dosjeve, si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Por Gjykata më pas deklaroi se kishte qenë një person tjetër dhe kështu, zotëria u bë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që pagëzoi edhe Prokurorët e parë të SPAK-ut.
Tani le të kalojmë te Gjykata dhe vendimi i saj.
Dëgjojmë (b)analistë që thonë se Meta e dorëzoi imunitetin pasi kishte garanci te drejtësia, etj.
Dua t’ju siguroj se në jetën time nuk kam emëruar kurrë ndonjë prokuror apo gjykatës.
Së dyti, nëse unë apo Z. Berisha, do kishim kaq ndikim te drejtësia, përse do të zgjidhnim relator të çështjes Z. Dvorani, i cili dihet se është shumë militant partie edhe pse i njeh mirë ligjet?
Ja pra që ndërhyrje nuk mund të kishte.
Po kështu, unë mund të kisha kërkuar përjashtimin e Z. Dvorani nga relator dhe anëtar i trupës gjykuese, pasi ai kishte lidhje shumë të afërta me personin që më përgjoi mua.
Por unë nuk e bëra kurrë këtë.
Po kështu, nuk kërkova që çështja të mbyllej për shkak të shkeljes së procedurave nga Prokuroria, por i shkuam gjykimit me themel, deri në fund.
Rezultati, siç dihet, ishte 5 – 0.
Edhe vet relatori i çështjes, Z. Dvorani, votoi për pafajësinë time, si katër kolegët e tjerë.
Por për të “ngushëlluar” shokët e partisë bëri një shënim, se për kaq sa kemi parë dhe hetuar, është i pafajshëm, por mirë do ishte që të zgjasnin hetimet.
Pra nga dy vjet hetime, të vazhdonte pa mbarim, aq sa i duhej “Partisë”.
Me gjithë presionin që kishte nga njerëzit e Partisë Socialiste, Z. Dvorani, nuk votoi siç donin ata, në mënyrë që të kishte një votë kundër, të cilën socialistët do ta trumbetonin kudo, brenda e jashtë vendit, si vendim i “pakicës të pakorruptuar”, e përralla të tjera si këto.
Ndërkohë paralelisht, zotëria që më kishte përgjuar mua, ishte zhytur në telashe të mëdha, sepse i kishin dalë jashtë kontrollit videot e pafundme që i kishte bërë vetes me të tjerë.
Një njeri i papërgjegjshëm që rrinte afër meje në ato kohë, kishte vendosur një gjobë të rëndë duke përdorur një foto spekulative.
Përsëri, miku i përbashkët, që më solli foton në “Rogner”, më kërkoi takim urgjent në emër të tij.
Pa asnjë dëshirë, por për shkak se doja të dija të vërtetën, meqënëse ishte përmendur emri im nga gjobvënësi, i prita të dy, në një ekspozitë pikturash atë kohë, në Gjirin e Lalzit.
Pasi kërkoi falje për keqpërdorimin e përgjimit të tij nga Edi Rama për 21 Janarin, më sqaroi edhe rrethanat e gjobvënies nga ish–mbështetësi im, bazuar mbi një foto spekulative.
“Qetësohu, – i thashë, “se është si fotoja që më dërgove ti me këtë mikun e përbashkët në Rogner”.
“Asnjë lekë nuk je i detyruar t’i paguash askujt, – i thashë, “por video-montazhin tënd e paguan katër të pafajshëm me jetën e tyre”.

About Krye Redaktor

Check Also

Boçi: Grabisin miliona euro për xhepat personalë Rama&co, ndërsa mësuesit i trajtojnë si lypsarë!

Nënkryetari i PD, deputeti Luçiano Boçi, në një postim në rrjetet sociale thekson se sot …