Nënkryetari i PD, deputeti Luçiano Boçi, në një postim në rrjetet sociale thekson se sot PS votoi kundër thirrjes në Komisionin e Edukimit të mësuesve që janë penalizuar në pagë për shkak të interpretimit të gabuar të diplomave.
Sipas Boçit, nisma e PD synon korrigjimin ligjor të kësaj padrejtësie ndaj mësuesve.
Reagimi i deputetit Boçi
Sot në Komisionin e Edukimit, shkencës dhe sportit, kërkuam thirrjen në seancë me mësuesit që janë penalizuar në pagë, për shkak të interpretimit të gabuar të diplomës së tyre universitare.
Disa prej tyre nuk paguhen, sepse nuk u njihet diploma si e integruar dhe disa që janë paguar po i mbahet pagesa në vazhdim.
Kjo është padrejtësi që ka brenda mungesën e logjikës dhe papërgjegjshmërinë para mijëra mësuesve që kanë vite që ushtrojnë profesionin e tyre fisnik.
Por përfaqësuesit e PS në mënyrë absurde votuan kundër ardhjes në seancë të përfaqësisë së mësuesve.
Nisma e ardhur nga PD në emrin e znj. Zhupa në komision, synon korrektimin ligjor të kësaj padrejtësie.
Mësuesit nuk duhet e nuk mund të rraskapiten dyerve të institucioneve duke kërkuar një të drejtë të fituar me mund dhe djersë dhe që u takon.
Ndërkohë që grabisin me një firmë miliona euro për xhepat personalë Rama &co, për mësuesit duan procedura, interpretime, letra me paragrafë e ligje pa fund.
I trajtojnë si lypsarë dhe nuk i njohin të drejtën e tyre.
Gazeta RD