Mazhoranca socialiste po e çon me vetëdije drejt djegies kërkesën e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres të pandehur Belinda Balluku, duke shfrytëzuar vonesën e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese. Skema e zvarritjes duket se po çon në konsumimin e afateve ligjore, me synimin që kërkesa të bjerë automatikisht.
Shpresat janë tek neni 118, pika 5 e rregullores së Kuvendit, që përcakton se nëse Kuvendi nuk merr vendim brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës së prokurorisë për autorizimin e arrestimit të një deputeti, kërkesa konsiderohet e rrëzuar. Me këtë skenar, Partia Socialiste ia kursen vetes votën kundër autorizimit që kërkon SPAK, por edhe shpëton të pandehurën Belinda Balluku nga arrestimi. Për Ballukun, kjo do të thotë një datë konkrete: 16 mars.
Që nga 16 dhjetori, kur SPAK depozitoi kërkesën, Kuvendi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim real për ta shqyrtuar atë. Përkundrazi, procesi është shtyrë pa afat, përmes një arsyetimi të paqartë se duhet pritur një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili juridikisht nuk e pengon Kuvendin të ushtrojë kompetencën e tij kushtetuese për dhënien ose jo të autorizimit.
Në urdhrin e firmosur së fundmi nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, thuhet se shqyrtimi i kërkesës së SPAK “do të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të garantuar një proces vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese”.
Por ky formulim ka krijuar një ngërç institucional, pasi siç duket Gjykata Kushtetuese pret Kuvendin dhe Kuvendi pret Gjykatën Kushtetuese për ta hequr nga duart pataten e nxehtë me emrin Belinda Balluku. Për pasojë afati ligjor vazhdon të digjet.
Qëndrimet reflektojnë një linjë politike të shpallur publikisht nga Kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor të vitit të kaluar, pasi SPAK kërkoi në kuvend autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut.
Deklarata e Ramës që de facto është shndërruar në një urdhër politik, ishte se “nuk ka asnjë gjasë që shumica qeverisëse dhe parlamentare ta shqyrtojë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme”.
Mbrojtja që po i ofrohet të pandehurës Belinda Balluku nga Partia Socialiste, përbën një kthesë të fortë nga qëndrimi i mëparshëm ndaj drejtësisë së re, kur Edi Rama betohej se Partia Socialiste nuk do të kthehej në zyrë avokatie për askënd që kishte telashe me drejtësinë. Në këtë linjë, dy vite më parë, ish-kryetari i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi, deklaronte publikisht se PS do të votonte çdo kërkesë për heqje imuniteti, pavarësisht përkatësisë politike.
Sot, kjo deklaratë bie ndesh me praktikën konkrete, ku për herë të parë në historinë e Kuvendit një kërkesë e SPAK për arrestimin e një deputeti zvarritet për javë të tëra pa u futur në rend dite.
Ndërkohë që politika konsumon kohën, prokurorët e SPAK kanë argumentuar se qëndrimi i Belinda Ballukut në detyrë përbën rrezik të drejtpërdrejtë për procesin hetimor.

Prokurori Dritan Prençi deklaroi në seancën në Gjykatën Kushtetuese se Balluku ka ndikuar në procesin e marrjes së provave pas rikthimit në detyrë. “Duke pasur parasysh rolin dhe funksionin e lartë shtetëror të zonjës Balluku, kemi argumentuar nevojat për marrjen e provave, hetimet me dëshmitarë dhe faktin se realisht kanë ndërhyrë në procesin e hetimit dhe ka cenuar marrjen e provave”, u shpreh Prençi.
Ai theksoi gjithashtu se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e masës së ndaluese ndaj Ballukut ka pasur efekt konkret negativ mbi hetimin. “Patjetër që ka dhënë efekt ky vendim mbi pezullimin e masës, për shkak të rolit dhe funksionit të lartë shtetëror të saj”, tha ai.
SPAK ka shkuar edhe më tej, duke pretenduar se Balluku ka ushtruar presion ndaj një vartëseje të saj në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Mirzeta Kashnica, anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e tunelit të Llogarasë.

Në dosjen hetimore thuhet tekstualisht se “nga përdorimi i metodave speciale kanë rezultuar të dhëna se e pandehura, gjatë kohës që ishte njohur me akuzën dhe ushtronte detyrën, ka ushtruar presion me forma të ndryshme ndaj personit të pyetur”.
Pikërisht për këtë arsye, prokurorët e SPAK kanë kërkuar jo vetëm pezullimin nga detyra, por edhe autorizimin e arrestimit të të pandehurës Belinda Balluku, duke argumentuar se ajo po prish provat, po ndikon tek dëshmitarët dhe po rrezikon interesin publik përmes vijimit të ushtrimit të funksioneve të saj shtetërore.
Në këtë sfond, loja institucionale e zvarritjes synon të kapë datën 16 mars, kur kërkesa e SPAK bie për shkak të afateve. Dhe bashkë me kërkesën e SPAK bie edhe fasada e rreme që Edi Rama e ngriti me mund në këto vite sikur nuk ai do t’i kundërvihej kurrë drejtësisë së re, sepse e kishte si mision ta ulte Shqipërinë në tryezën e Bashkimit Europian./Lapsi.al/
Gazeta RD