Takimi me reporterin për Shqipërinë në PE: Mazhoranca po minon SPAK për të mbrojtur Ballukun

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deputetja dhe kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, si dhe deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, pritën në një takim reporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e opozitës shprehën shqetësimin e tyre lidhur me situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, duke vënë theksin te problematikat serioze që po minojnë funksionimin e shtetit të së drejtës dhe standardet demokratike.

Deputetët theksuan se ndërprerja e fjalës së opozitës gjatë seancave plenare është kthyer në praktikë të zakonshme, ndërsa mekanizmat parlamentarë për kontrollin e qeverisë janë dobësuar ndjeshëm ose janë bërë jofunksionalë.

Njoftimi i plotë
Së bashku me kolegët Jorida Tabaku dhe Ivi Kaso zhvilluam një takim me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, z. Andreas Schieder.

Gjatë takimit, shprehëm shqetësimin tonë të thellë lidhur me situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, duke vënë theksin te problematikat serioze që po minojnë funksionimin e shtetit të së drejtës dhe standardet demokratike.

Një ndër çështjet kryesore të diskutuara ishte bllokimi i shqyrtimit të mandatit të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës, znj. Belinda Balluku. Kjo çështje po mbahet peng në Keshillin e Mandateve përmes votave të shumicës socialiste, duke penguar rolin kushtetues të Kuvendit dhe duke ndërhyrë në proceset e pavarura të drejtësisë, përfshirë SPAK-un.

Gjithashtu, paraqitëm shqetësimim për mbylljen sistematike të hapësirave për opozitën në Kuvendin e Shqipërisë. Theksuam se ndërprerja e fjalës së opozitës gjatë seancave plenare është kthyer në praktikë të zakonshme, ndërsa mekanizmat parlamentarë për kontrollin e qeverisë janë dobësuar ndjeshëm ose janë bërë jofunksionalë.

Në këtë kontekst, nënvizuam degradimin e rolit të Kuvendit, i cili po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një institucion formal, pa debat real dhe pa respekt për pluralizmin politik.

Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, z. Andreas Schieder, u informua në mënyrë të detajuar mbi këto zhvillime dhe u njoh me shqetësimet e opozitës lidhur me pasojat që këto praktika kanë për procesin e integrimit europian të vendit dhe për standardet demokratike që kërkon Bashkimi Europian.

Ne emer te Partise Demokratike, konfirmuam angazhimin për mbrojtjen e demokracisë, funksionimin e institucioneve dhe respektimin e shtetit të së drejtës, si parakushte themelore për rrugën europiane të Shqipërisë.

About Redaksia

Check Also

Banda e hajdutëve të Bashkisë/ Duhej dënuar me 15 vite burg, u la i lirë!

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për …