KLGJ fut në rend dite pak para nisjes së mbledhjes verifikimin e gjyqtares Irena Gjoka

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka futur në rend dite për mbledhjen e sotme, diskutimin mbi gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka.

Diskutimi për verifikimin e statusit të gjyqtares Gjoka nuk ishte parashikuar për mbledhjen e sotme, por është shtuar si pikë në rendin e ditës pak para nisjes së mbledhjes.

“Pika e 7-të në rendin e ditës: Shqyrtimi i relacionit “Për fillimin e procedurës së verifikimit të statusit të gjyqtares znj. {…}, gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”,- thuhet në njoftim.

Prokuroria e Posaçme, SPAK regjistroi një procedim penal pas një kallëzimi ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila akuzohet se ka fshehur nga formulari i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës një dënim penal të dhënë nga drejtësia greke për falsifikimin e një pasaporte dhe një vize në mesin e viteve 2000.

Sipas SPAK, procedimi është regjistruar për veprën penale të parashikuar, “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, por ende nuk është regjistruar ndonjë emër si person nën hetim.

Pas një hetimi rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të martën se i kishte dërguar zyrtarisht më datë 19 janar 2026 rezultatet e këtij verifikimi pranë KLGj-së, që është organi kompetent që duhet të interpretojë rezultatet e gjetjeve.

Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin penal në Greqi.

About Redaksia

Check Also

Pakti i dështuar për universitetin

Nga Alvi Musaraj Në Shqipëri, “Pakti për Universitetin” është një dokument i bashkërenduar, i lindur …