Grupi Parlamentar i PD, në një deklaratë për media thekson se, refuzimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për të marrë në shqyrtim raportin e Prokurorisë së Përgjithshme mbi gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka përbën një shkelje të rëndë kushtetuese dhe ligjore.
Sipas PD, dërgimi i çështjes për kompetencë te Inspektori i Lartë i Drejtësisë është një përpjekje për të zvarritur hetimin dhe për të shmangur përgjegjësinë e KLGJ-së për deklarimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të një gjyqtareje të dënuar me vendim penal të formës së prerë.
Deklarata
Pas një verifikimi që zgjati 20 muaj, në datën 19 janar 2026, Prokuroria e Përgjithshme përcolli në Këshillin e Lartë Gjyqësor rezultatet e verifikimit për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka, duke konfirmuar dënimin penal për falsifikim dokumentesh nga autoritetet greke në vitin 2005 dhe fshehjen e këtij dënimi në formularin e dekriminalizimit, përfshirë procesin e rivlerësimit kalimtar dhe emërimit në Gjykatën e Posaçme.
11 ditë më pas, në kundërshtim me detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore, Këshilli i Lartë Gjyqësor refuzoi marrjen në shqyrtim të raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, duke ia përcjellë për kompetencë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Kjo sjellje e papërgjegjshme dhe e paprecedent e KLGJ-së, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve organike që e ngarkojnë me marrjen e vendimeve për rastet e papajtueshmërisë dhe pazgjedhshmërisë së gjyqtarëve, ngre pikëpyetje të forta për pavarësinë dhe paanshmërinë e organit të qeverisjes të pushtetit gjyqësor.
Dërgimi për kompetencë ILD është një përpjekje e qartë për ta zvarritur akoma edhe më tej këtë çështje, me pasoja shumë të rënda për pushtetin gjyqësor, të drejtat e qytetarëve dhe besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Për Këshillin e Lartë Gjyqësor duket normale që një gjyqtare e dënuar me vendim penal të formës së prerë të vazhdojë gjykimim në Gjykatën e Posaçme, duke minuar kështu qoftë qëllimet e ligjit të dekriminalizimit të miratuar në vitin 2015, ashtu edhe të paketës kushtetuese dhe ligjore të Reformës në Drejtësi të miratuar në vitin 2016.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e papërgjegjshme, antikushtetuese dhe të paligjshme të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe kërkojmë nga anëtarët e ndershëm të këtij Këshilli që të kërkojnë sërish përfshirjen në axhendë të kësaj çështje, me qëllim garantimin e integritetit, pavarësisë dhe paanshmërisë së organit të qeverisjes së sistemit gjyqësor. Po ashtu, i bëjmë thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të zbatojë ligjin dhe të kërkojë menjëherë nga KLGJ deklarimin e mbarimit të mandatit për gjyqtaren e dënuar.
Çdo sjellje e ndryshme e KLGJ-së dhe ILD-së vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, si dhe cënon rëndë parimet e shtetit të së drejtës, pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
Gazeta RD