Deputetja e PD, Ina Zhupa, në fjalën e saj në Kuvend, argumentoi se futja në rendin e ditës e një projektvendimi për ndryshimin e vendimit për komisionin e reformës ishte e parregullt.
Sipas saj, ky propozim nuk ishte votuar më parë në Konferencën e Kryetarëve, as pro dhe as kundër, çka e bën të pavlefshëm diskutimin e tij në seancë plenare. Ajo shtoi se kishte pasur një marrëveshje, madje edhe me propozim të kreut të grupit parlamentar socialist, për ta shtyrë këtë çështje në mënyrë që të kishte më shumë kohë për diskutim.
Zhupa i bëri thirrje mazhorancës të tërheqë projektvendimin dhe t’i qëndrojë parimit të bashkëkryesimit të komisionit, ku vendimet merren me konsensus dhe jo me imponime e ultimatume.
Zhupa: Sot në rendin e ditës, në pikën 13, keni futur një projektvendim për ndryshimin e vendimit të këtij kuvendi për komisionin e reformës territoriale. Dua të kujtoj mazhorancën që në konferencën e kryetarëve nuk është votuar as pro, as kundra një vendim i tillë. Dhe është marrë vendim edhe me propozimin e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, që kjo gjë do të shtyhej dhe do të kishte mundësi dhe do të kishim mundësi që të diskutonim për reformën territoriale.
Nuk është votuar në konferencën e kryetarëve. Dhe diçka e pavotuar në konferencën e kryetarëve, nuk mund të futet për votim në seancën plenare. Së dyti Partia Demokratike, ka qenë gjithmonë e gatshme për t’i qëndruar vendimit që ka votuar këtu në kuvend, bashkarisht, një vendim i votuar nga të dyja forcat politike, për të bërë reformën territoriale. Ju e bëtë njëherë reformën territoriale në 2014-ën në mënyrë të njëanshme dhe e pranoni dhe vetë sot që ka qenë e dështuar.
Nëse doni që të bëjmë një reformë që i shërben interesit publik, qytetarëve, qëndrojini vendimit që ka marrë parlamenti, me ndihmën edhe të ndërkombëtarëve, për të pasur bashkëkryesim, për të pasur anëtarë të barabartë aty dhe për të vendosur duke dëgjuar ekspertët, duke marrë këshilla nga Këshilli i Europës, duke respektuar kartën e autonomisë vendore, duke respektuar kushtetutën e Shqipërisë, tërhiqeni atë projektvendim që keni futur sot edhe pa rregull dhe pa rregullore, sepse fillimisht do të duhet të kalonte dhe të miratohej apo të rrëzohej në konferencën e kryetarëve, dhe janë dy bashkëkryetarët të cilët duhet të bashkërendojnë për mbledhjet. Nuk mundet Partia Socialiste të imponohet Partisë Demokratike apo të imponohet, të imponohet ditën, orën, momentin se kur do të bëhet zgjedhja.
Ndaj janë dy bashkëkryetarë. Ne dhe në mbledhjet e komisioneve të zakonshme, bashkërendojmë me njëri-tjetrin dhe pse ka një kryetar e nënkryetar, për të dakordësuar ditën, orën, axhendën. Ju në komisione me bashkëkryesim doni të imponoheni, doni të vendosni ultimatume. E keni gjithë predispozitën e Partisë Demokratike sepse e ka votuar Partia Demokratike dhe mos veproni në mënyrë të njëanshme për të dështuar paraprakisht reformën territoriale siç e dështuat atë të vitit 2014 dhe sot pasojat i vuajnë qytetarët shqiptarë. Sot pasojat i vuajnë ata që nuk marrin shërbime dhe që e keni dështuar. Shumë faleminderit.
Gazeta RD