Dhuna ndaj gazetarit të SYRI TV/ PD Vlorë: Sulm i papranueshëm ndaj fjalës së lirë, prokuroria të hetojë

Partia Demokratike, Dega Vlorë ka reaguar për dhunën e ushtruar nga një punonjës i bashkisë Vlorë ndaj gazetarit të SYRI TV, Gentjan Këllçiu.

Në deklaratën e bërë nga Sekretari Funksional për marrëdhëniet me publikun, Rezenbrik Serjani, ky akt cilësohet si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias, transparencës dhe parimeve themelore të demokracisë.

Deklarata e plotë

Partia Demokratike, Dega Vlorë dënon me forcën më të madhe aktin e rëndë dhe të papranueshëm të dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale, në qytetin e Vlorës.

Ditën e djeshme, teksa gazetarët po pasqyronin protestën e punonjësve të Ndërmarrjes së Pastrimit, të cilët kërkonin kushte dinjitoze pune dhe pagesat e prapambetura, gazetari i Syri TV, Gentian Këllçiu, së bashku me kolegë të tjerë të medias, u ofenduan dhe më pas u goditën fizikisht nga një person i identifikuar si punonjës i kësaj ndërmarrjeje.

Ky akt brutal përbën një tentativë të hapur për të penguar transmetimin e realitetit dhe për të mbyllur gojën e medias. Është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj fjalës së lirë, transparencës dhe vetë demokracisë.

Dhuna ndaj gazetarëve është produkt i një pushteti që nuk pranon zëra kritikë, që nuk toleron denoncimin e problemeve reale të qytetarëve dhe që reagimin ndaj së vërtetës e ka zëvendësuar me presion, kërcënim dhe intimidim. Ky është fytyra e një pushteti të kalbur, që mendon se gjithçka mund të kontrollohet me forcë.

Partia Demokratike – Dega Vlorë shpreh solidaritetin e plotë me gazetarët e Vlorës dhe në veçanti me gazetarin Gentian Këllçiu. Gazetarët janë profesionistë që kryejnë një detyrë jetike për funksionimin e demokracisë dhe informimin e qytetarëve. Çdo kundërshti ndaj medias nuk mund dhe nuk duhet kurrë të shprehet përmes dhunës.

Dhuna ndaj gazetarëve është dhunë ndaj qytetarëve dhe ndaj vetë demokracisë.

I bëjmë thirrje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë që të nisë menjëherë procedurat ligjore, të identifikojë dhe ndëshkojë autorët e këtij akti të rëndë dhe të mos lejojë që një ngjarje e tillë të kalojë në heshtje apo pandëshkueshmëri.

Partia Demokratike do të qëndrojë gjithmonë në krah të medias dhe gazetarëve profesionistë e të përkushtuar dhe do të denoncojë çdo akt dhune, presioni apo intimidimi ndaj saj.

About Redaksia

Check Also

Balluku ra/ Tani beteja për largimin e Ramës, 10 shkurti vendimtar

Sali BERISHA Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, përfaqësuesve të demokratëve të dy lagjeve …