Institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë bëri me dije se do të shqyrtojë ankesën e një anëtari të Këshillit të Lartë Gjyqësor me objekt fillimin e hetimit për shkelje disiplinore ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Irena Gjoka.
Pasi gjashtë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ, rrëzuan një javë më parë kërkesën e katër kolegëve për fillimin e procedurës së verifikimit të statusit të gjyqtares Irena Gjoka, një prej anëtarëve të këtij këshilli ka depozituar të martën, më 3 shkurt, ankesë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD. Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim që ILD i dërgoi BIRN-it të enjten, më 5 shkurt, u bë me dije se dy ditë më parë i ishte përcjellë ankesa e një anëtari të KLGJ-së me objekt fillimin e hetimit për shkelje disiplinore ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Irena Gjoka. Po ashtu, ILD bëri me dije se do të shqyrtojë ankesën e mbërritur për Gjokën.
Pas një hetimi administrativ që zgjati rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi më 20 janar se kishte përfunduar verifikimin e thelluar për pastërtinë e figurës së gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, të kërkuar nga ana e KLGJ-së, por rezultatin e verifikimit e mbajti të fshehtë.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka regjistruar procedim penal pas një kallëzimi të depozituar nga Adriana Kalaja ndaj gjyqtares Irena Gjoka, për fshehjen nga formulari i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës të një dënimi penal të dhënë nga drejtësia greke për falsifikimin e një pasaporte dhe një vize në mesin e viteve 2000. Sipas SPAK-ut, procedimi është regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, por ende nuk është regjistruar ndonjë emër si person nën hetim.
Gjyqtarja Gjoka e ka kaluar më herët procesin e vetingut, pasi KPK nuk gjeti probleme që do të çonin në shkarkimin e saj. Komisioneri Publik fillimisht e ankimoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, por gjatë procesit u tërhoq nga ankimi, prej nga mbeti në fuqi vendimi i konfirmimit.
Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin penal në Greqi./ BIRN
Gazeta RD