Gjatë takimit të foltores me Degën 7 në Tiranë, anëtari i Kryesisë së PD dhe i deleguari politik në këtë zonë, Grigels Muçollari, lëshoi akuza të rënda ndaj qeverisë, duke sjellë një panoramë dramatike për të ardhmen e vendit.
Sipas tij, Shqipëria po përballet me një krizë të thellë që kërcënon vetë ekzistencën e saj, duke theksuar se vendi “është i destinuar të shuhet nëse vazhdon kështu”.
Duke e vënë theksin mbi të gjitha te largimi masiv i të rinjve, Muçollari tha se shifrat e emigracionit janë “të frikshme” dhe se vetëm gjatë periudhës 2023-2024, 23% e personave me arsim të lartë janë larguar nga vendi. Kjo situatë, sipas tij, po e kthen Shqipërinë në një vend “të shkretë dhe të mjerë”.
Muçollari u ndal edhe te qeverisja, duke pretenduar se përgjegjësia morale “shihet si herezi nga qeveria”. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai sulmoi ministren e Arsimit, e cila sipas tij, është përgjegjësja kryesore për trafikun ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme.
Fjala e Muçollarit
Në degën ku kam prej dy fushatash tashmë që ushtroj aktivitetin tim politik dhe së bashku me ju nuk kemi arritur rezultatet që duhet, por kemi treguar që kemi forcë të reagojmë. Kemi treguar që kemi forcë të përballemi. Rezultati jonë ka treguar qëndresë të demokratëve dhe të opozitarëve. Marr shkak nga nga puna që është bërë në këtë degë, me gjithsecilin prej jush, për të treguar që sot këtu nuk jemi mbledhur vetëm për një aktivitet partiak. Nuk jemi mbledhur vetëm të bëjmë një analizë dhe të flasim për përmirësimin e vetvetes. Po si pjesë të përmirësimit të Partisë Demokratike. Patjetër që qëllimi i përmirësimit të vetvetes është të përmirësojmë Shqipërinë, të bëhemi më konkurrues, të bëhemi më të fortë, që nesër në qeveri të jemi më premtues për Shqipërinë tonë.
Dhe kur them për Shqipërinë tonë, kthej sytë pas dhe shoh mes shkresave, mes raporteve, se si të rinjtë po largohen. Jo më larg se përpara dje, në mos gaboj, bëhej fjalë për një raport për shifra të frikshëm të largimit. Jo më larg se përpara një jave, Berzhi nxori një raport që flet që vetëm gjatë vitit 2023-2024, 23% e të arsimuarve me arsim të lartë janë larguar. Është një Shqipëri, e shkretë është Shqipëri për fatin tonë të keq. Një Shqipëri e mjerë, që është e destinuar të shuhet nëse vazhdon kështu. Po flasim për një Shqipëri ku ministrja e sapoemëruar disa muaj përpara e arsimit, të cilën e kemi vendosur të edukojë fëmijët tanë, është përgjegjësia kryesore për trafik ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme. Po flasim për një Shqipëri ku përgjegjësia morale shihet si herezi nga qeveria. Po flasim për një Shqipëri ku drejtësia duhet të marrë gjithmonë leje se kë të prekë dhe kë jo.
Po flasim për një Shqipëri që çmimet dita ditës shtrenjtohen, për një Shqipëri siç e tha dhe kryetari Avniu, që është bërë e pamundur të blesh një parking, jo një shtëpi. Dhe kjo ndodh kur monedha zyrtare e vendit tonë është narkomonedha. Janë modele që kanë ndodhur në shumë vende. Po flasim për një Shqipëri që nuk po e ngre dot kokën lart. Dhe të jemi të bindur gjithsecili prej nesh që nëse vazhdojmë me po këtë sistem, tashmë të kalbur, media do vazhdojnë në të tyren, bizneset do vazhdojnë, ato pak biznese që punojnë me qeverinë në të tyren. Rama do të vazhdojë të udhëtojë me avion privat. Njerëzit do të dhunohen çdo ditë, siç po ndodh dhe në Shkodër dhe anë e mbanë vendit. Nuk do të kenë më mundësi pensionistët, siç po ndodh, të ushqehen, nuk do të kenë më mundësi të kurohen.
Si demokratë, na ka rënë për hise t’i dalim për zot Shqipërisë. Dhe kjo nuk është një fjalë thjesht patetike, por është një fjalë që unë e ndjej dhe kam përshtypjen që të gjithë ju e ndjeni. Kur themi t’i dalim për zot Shqipërisë, është që të vendosemi aty në shesh dhe t’i japim zemër çdo qytetari që sado apatik ka qenë, që ka vendosur të bëhet bashkëfajtor në heshtje, ta ngrejë zërin dhe ai. Protesta e janarit ngriti kokat tona, na dha më shumë guxim dhe qytetarët shqiptarë kanë më pak frikë pas asaj proteste. Më shumë frikë kanë qeveritarët. Protesta e 10 shkurtit, edhe më shumë njerëz, edhe më shumë reagim, edhe më shumë revoltë, që t’ju ngremë kokën shqiptarëve, t’i ngremë kokën vetvetes, familjes.
Gazeta RD