Sallaku: Më 10 shkurt në protestë massive ta rrëzojmë Ramën!

Në foltoren e radhës të PD në degët 8 dhe 10, kryetari i degës 8, Gazmend Sallaku, mbajti fjalën e tij duke lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Sallaku u shpreh se zgjedhjet me Ramën nuk mund të jenë të lira dhe i bëri thirrje demokratëve të mobilizohen për protestën e 10 shkurtit, duke bërë një paralelizëm historik: “Dikur, ju flokëbardhët rrëzuat Ramiz Alinë, nesër ne do të rrëzojmë Edi Ramën”.

Gjatë fjalës së tij ai bëri thirrje për mobilizim masiv në protestën e 10 shkurtit.

Fjala e tij

Mirëmbrëma të gjithëve! Mirëmbrëma demokratë të degës tetë dhe të degës dhjetë. Ishim përgatitur për një takim më specifik, por megjithatë, kur jemi bashkë, nuk ka më mirë. Demokratët do të jenë gjithmonë bashkë.

E nis këtë fjalë me një falënderim për atë që bën bashkë të gjithë demokratët, profesor doktor Sali Berishën. Një falënderim për të dyja aktivet, aktivet e degës tetë dhe të degës dhjetë, anëtarët e partisë, ata që nuk e lanë këtë parti në asnjë moment, ata që e mbrojtën këtë parti në ditët më të vështira. Një respekt dhe mirënjohje e pafund për ju.

Si degë, si dega jonë tetë, kemi bërë një analizë këto dy javë dhe të gjithë biem në një emërues të përbashkët: zgjedhje me Edi Ramën nuk ka dhe nuk ka si të ketë. Një njeri që asgjëson pluralizmin nuk ka si të ketë zgjedhje të lira me të. Ai di vetëm të vjedhë, të vjedhë, të vjedhë. Ai është personi që shumë shpejt, nga forca juaj, do të marrë përgjigjen. Ai do të largohet me turp nga kjo histori që e gatoi vetë.

Megjithatë, të flasim edhe për problemet tona gjatë kësaj analize. Asnjëherë nuk mund të themi që jemi të përkryer. Kemi nevojë të përmirësohemi, të përmirësohemi të dyja si degë. Dhe me Andin që flas, janë të njëjtat problematika. Pra, ne duhet të riorganizohemi që të jemi gjithmonë të gatshëm për t’u përballur me çdo lloj fushate dhe çdo lloj aktiviteti politik.

Faktikisht, kanë mbetur rreth tre-katër muaj dhe, siç e ka sqaruar edhe kryetari, analiza është shtyrë për të vetmen arsye: që të biem të gjithë në të njëjtin mendim. Pra, asgjë nuk shtojmë më tepër sesa raporti i OSBE-ODIHR-it. Zgjedhjet ishin të pabarabarta, zgjedhjet ishin nën presionin e bandave dhe të policisë kriminale, zgjedhjet u blenë me njerëz të dyshimtë, gjë që s’ka ndodhur asnjëherë. Kam 35 vjet që merrem me Partinë Demokratike dhe si këto zgjedhje nuk kanë ndodhur kurrë. Këtë e them në mënyrë të hapur.

Megjithatë, dega jonë dhe dega dhjetë kanë edhe një gjë të përbashkët. Janë dy degë themeluese të qytetit, janë dy degë me traditë, ku ka familje të mëdha demokrate në këto dy zona. Janë tiranasit e hershëm, të cilët e hapën zemrën dhe shpirtin. Edhe unë edhe Andi jemi të dy tiranas të vjetër. Pra, jemi themelues të qytetit dhe ky qytet, që kur është formuar, është krijuar për t’i paraprirë të gjitha zhvillimeve më pas.

Nuk do të zgjatem më tepër, sepse emocionet para jush bëjnë të veten. Lidhur me datën 10, ditën e protestës: të gjithë së bashku, siç jemi sot në këto momente, sapo të marrë fjalën doktori, të marrim aktivitetin. Duke shkuar në shtëpi do të bëhemi dyfish. Çfarë njerëzish të takojmë rrugës, t’u shtrëngojmë dorën dhe t’i ftojmë për datën 10. Të nesërmen po ashtu trefishohemi, të pasnesërmen po ashtu. Duhet të marrim të gjitha përgjegjësitë.

Historia e ka treguar, historia përsëritet. Dikur, ju flokëbardhët, për të cilët kam respektin më të madh, rrëzuat Ramiz Alinë në zonën tonë; nesër do të rrëzojmë Edi Ramën.

Respekte për ju, respekte për demokratët e degës tetë dhe të degës dhjetë.
Fitore!

About Redaksia

Check Also

Balluku ra/ Tani beteja për largimin e Ramës, 10 shkurti vendimtar

Sali BERISHA Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, përfaqësuesve të demokratëve të dy lagjeve …