Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ka lënë në fuqi vendimin e pezullimit nga detyra e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Ballukun.
Bardhi shkruan se, alibitë kanë rënë tashmë dhe Edi Rama nuk ka ku të fshihet më.
Reagimi i Bardhit
Alibitë tashmë kanë rënë!
Edi Rama ushtroi presion të paprecedentë mbi Gjykatën Kushtetuese dhe ngriti alibi absurde për të mbrojtur veten dhe Belinda Ballukun. Të dyja dështuan!
Edi Rama u rrëzua në pretendimin e tij për të bllokuar drejtësinë. Njëlloj do të rrëzohet kushdo që pengon drejtësinë.
Tani, Edi Rama nuk ka më ku të fshihet. Kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut pret miratimin nga Kuvendi. I bëj thirrje Kryetarit të Kuvendit të njoftojë menjëherë mbledhje urgjente të hënën të Këshillit të Mandateve dhe përfshirjen të enjten në seancë plenare të kërkesës për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit për ish-Zëvendëskryeministren dhe ish-ministren Belinda Balluku.
Kuvendi nuk mund të mbajë peshën e përgjegjësisë për vonesën e paprecedent të shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë dhe për pengimin e drejtësisë.
Koha e manovrave ka mbaruar!
Gazeta RD