Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, gjatë fjalës së tij në seancën që po zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese lidhur me ndryshimet e njëanshme të Rregullores së Kuvendit, u shpreh se mazhoranca ka pranuar se nxitimi për miratimin e rregulloreve të reja ka sjellë çorganizim të plotë në Kuvend, duke cenuar seriozisht funksionimin e tij.
Bardhi akuzoi mazhorancën se, në vend që të krijonte një organizim efikas të punës parlamentare, ka shkaktuar një kaos të dukshëm, duke i detyruar deputetët të kalojnë nga një komision në tjetrin për shkak të mbivendosjes së mbledhjeve të përbashkëta.
“Pa diskutim, ne kemi opsionin tonë për strukturën e Kuvendit. Nuk mund të vendosë vetëm njëra palë se si do të organizohet puna në një organ kolegjial që përfaqëson të gjithë qytetarët, si përmes mazhorancës, ashtu edhe përmes opozitës. Pa asnjë dyshim, në fazën ku është sot Shqipëria në procesin e integrimit, ne mblidhemi çdo javë në seancë plenare, e nderuar, deri në orët e para të mëngjesit, miratojmë 20-30 ligje, sepse na thuhet se po përafrojmë legjislacionin me direktivat e Bashkimit Europian.
Komisionin që kishte përgjegjësi të posaçme dhe funksionoi deri në legjislaturën e kaluar, në këtë legjislaturë e shkrimë, me një qëllim të vetëm: për të larguar opozitën nga procesi i integrimit. Tradita parlamentare ka qenë që procesin e integrimit e ka drejtuar opozita, dhe për ta fshirë opozitën nga ky proces, komisionin që ka më shumë punë e bashkojmë me një tjetër. Ndërkohë, ndajmë kulturën dhe turizmin, dhe atë që ka më pak punë e ndajmë në disa komisione.
Kjo do të mund të justifikohej nëse do të ishte një proces konsensual, i matur dhe jo i bazuar në intrigat politike. T’i heqim të drejtën opozitës dhe ta marrim për vete këtë proces është një hap i gabuar.
Për sa i përket procesit të integrimit, ka pasur një traditë parlamentare që ka përfshirë si Këshillin e Ministrave, ashtu edhe Kuvendin. Që nga viti 2004, bazuar në modelet e vendeve që janë anëtarësuar në BE, procesin në ekzekutiv e drejton mazhoranca, ndërsa në legjislativ, opozita e drejton. Ky model ka funksionuar deri në vitin 2025, duke dhënë të drejtën opozitës të drejtojë Komisionin për Integrimin dhe Këshillin Kombëtar të Integrimit.
Për organizimin e punës së deputetëve, ka pasur përplasje mes komisioneve, madje edhe brenda shumicës. Komisioni i Ligjeve dhe Komisioni për Nismat Qytetare kanë përplasje se kush do të raportojë tek ata institucione të drejtësisë. Ky çorganizim ka sjellë konfuzion dhe ka ndikuar në efektivitetin e punës së deputetëve, sidomos të opozitës. Ky është një pasojë e drejtpërdrejtë e paqartësisë që ka krijuar rregullorja e re.
Mazhoranca ka pranuar që ky nxitim për miratimin e rregulloreve ka sjellë çorganizim në Kuvend dhe po përgatiten ndryshime për të sqaruar këto çështje. Për më tepër, deputetët e komisioneve kanë filluar të quhen “deputetë shëtitës”, pasi kalonin nga një komision në tjetrin për shkak të mbledhjeve të përbashkëta. Kjo ka sjellë një ndarje të qartë midis organizimit të punës dhe ka dëmtuar funksionimin e Kuvendit”, u shpreh Bardhi.
Gazeta RD