Korrupsioni po përkeqësohet në nivel global, ndërsa edhe demokracitë e konsoliduara po përjetojnë rritje të korrupsionit në kushtet e rënies së lidershipit, sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) 2025 të Transparency International.
Indeksi vjetor tregon se numri i vendeve që marrin mbi 80 pikë është tkurrur nga 12 një dekadë më parë në vetëm pesë këtë vit.
CPI rendit 182 vende dhe territore sipas niveleve të perceptuara të korrupsionit në sektorin publik, në një shkallë nga zero (shumë të korruptuara) në 100 (shumë të pastra).
Mesatarja globale qëndron në 42 pikë nga 100, niveli më i ulët në më shumë se një dekadë, duke sinjalizuar një trend në rënie.
Shqipëria mbetet nën mesataren globale, duke u vlerësuar me 39 pikë (nga 42 në vitin 2024) dhe duke rënë në vendin e 91-të, nga vendi i 80-të një vit më parë. Shqipëria shënon përkeqësimin më të madh në rajon këtë vit.
Në raportin e vitit 2025, Mali i Zi vlerësohet me 46 pikë, pa ndryshim nga viti 2024; Kosova me 43 pikë, një pikë më pak se një vit më parë; Serbia me 33 pikë (-2 pikë) dhe Maqedonia e Veriut me 40 pikë (pa ndryshim).
Raporti tregon se edhe demokracitë, zakonisht ato më të forta në luftën kundër korrupsionit sesa autokracitë apo demokracitë e brishta, po përjetojnë një rënie shqetësuese të performancës.
Ky trend përfshin vende si Shtetet e Bashkuara (64), Kanadaja (75) dhe Zelanda e Re (81), si dhe pjesë të ndryshme të Europës, si Mbretëria e Bashkuar (70), Franca (66) dhe Suedia (80). Një tjetër model shqetësues është rritja e kufizimeve nga shumë shtete ndaj lirive të shprehjes, organizimit dhe tubimit. Që nga viti 2012, 36 nga 50 vendet me rënie të ndjeshme në pikët e CPI kanë përjetuar gjithashtu ngushtim të hapësirës qytetare.
Viti 2025 shënoi një valë protestash kundër korrupsionit të udhëhequra nga Gjenerata Z, kryesisht në vende në gjysmën e poshtme të CPI, ku pikët kanë mbetur kryesisht në vendnumëro ose kanë rënë gjatë dekadës së fundit. Të rinjtë në vende si Nepali (34) dhe Madagaskari (25) dolën në rrugë për të kritikuar liderët për abuzim me pushtetin, ndërkohë që dështojnë të ofrojnë shërbime publike cilësore dhe mundësi ekonomike.
Transparency International paralajmëron se mungesa e lidershipit të guximshëm në luftën globale kundër korrupsionit po dobëson veprimin ndërkombëtar kundër korrupsionit dhe rrezikon të ulë presionin për reforma në vendet në mbarë botën.
“Korrupsioni nuk është i pashmangshëm. Kërkimi ynë dhe përvoja jonë si një lëvizje globale që lufton korrupsionin tregojnë se ekziston një model i qartë se si pushteti mund të mbahet përgjegjës për të mirën e përbashkët, duke nisur nga proceset demokratike dhe mbikëqyrja e pavarur, deri te një shoqëri civile e lirë dhe e hapur. Në një kohë kur po shohim shpërfillje të rrezikshme të normave ndërkombëtare nga disa shtete, ne u bëjmë thirrje qeverive dhe liderëve të veprojnë me integritet dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të siguruar një të ardhme më të mirë për njerëzit në mbarë botën”, tha François Valérian, Kryetar i Transparency International.
Shumica dërrmuese e vendeve po dështojnë të mbajnë korrupsionin nën kontroll: më shumë se dy të tretat – 122 nga 180 – marrin më pak se 50 pikë.
Për të tetin vit radhazi, Danimarka merr rezultatin më të lartë në indeks (89), e ndjekur nga afër nga Finlanda (88) dhe Singapori (84).
Vendet me rezultatet më të ulëta kanë në shumicë dërrmuese shoqëri civile të shtypura rëndë dhe nivele të larta paqëndrueshmërie, si Sudani i Jugut (9), Somalia (9) dhe Venezuela (10).
Që nga viti 2012, 50 vende kanë parë rënie të ndjeshme të pikëve në indeks: ndër ato që kanë rënë më shumë përfshihen Turqia (31), Hungaria (40) dhe Nikaragua (14). Këto reflektojnë një dobësim strukturor njëdekadësh të mekanizmave të integritetit, i nxitur nga regresi demokratik, konfliktet, dobësia institucionale dhe rrjetet e konsoliduara të patronazhit. Këto rënie janë të forta, afatgjata dhe të vështira për t’u përmbysur, pasi korrupsioni bëhet sistemik dhe i rrënjosur thellë si në strukturat politike, ashtu edhe në ato administrative.
Që nga viti 2012, 31 vende kanë përmirësuar ndjeshëm pikët në indeks: ndër përmirësuesit më të mëdhenj janë Estonia (76), Koreja e Jugut (63) dhe Seychelles (68). Përmirësimet afatgjata në demokraci si këto pasqyrojnë vazhdimësi reformash, forcim të institucioneve të mbikëqyrjes dhe konsensus të gjerë politik në favor të qeverisjes së pastër. Suksesi në këto fusha lidhet, ndër të tjera, me dixhitalizimin e shërbimeve publike, profesionalizimin e administratës dhe integrimin e standardeve rajonale dhe globale të qeverisjes./transparency.org, Monitor
Gazeta RD