Aulon Kalaja: Çdo e keqe buron nga tirani, ka ardhur koha për një zgjim popullor!

Drejtuesi i Departamentit për Mbrojtjen e Familjes në PD, Aulon Kalaja në fjalën e tij në protestën përpara Kryeministrisë lëshoi akuza të rënda ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si një “mafia” dhe sundimin aktual si “tirani”.

Me tone të forta, Kalaja bëri thirrje për një zgjim popullor, duke theksuar se ka ardhur koha që “kombi i deleve” të kthehet në “ujqër”.

Aulon Kalaja: Një patriot duhet të jetë përherë i gatshëm të mbrojë shtetin e tij nga qeveria e tij. Shteti është i përhershëm, qeveria është e përkohshme. Çdo e keqe buron nga tirani. Tirania është sundimi i pakicës mbi shumicën dhe askush nuk e ka ushtruar me drejtësi pushtetin e fituar me poshtërsi. Kombi i deleve prodhoi qeverinë e ujqërve, ne u bëmë dele dhe këta u bënë ujqër. Por për një popull që fle, mbi të zgjohen tiranët. Ndaj të zgjohemi dhe mos të kërkojmë vetëm nga Zoti dhe ndërkombëtarët.

Zoti nuk do ta ndryshojë kurrë gjendjen e një populli nëse ai nuk përpiqet të ndryshojë gjendjen e tij. Dhe të huajt nuk do të na presin në rast se ne nuk jemi dalzotësh të vendit dhe armikut t’i japim datë. Sepse çdo komb çlirohet me përpjekjet e veta, prandaj fati i popullit tim është fati im. Kujdes, fati i buzëqesh vetëm guximtarëve dhe kurrë nuk është arritur ndonjë gjë e madhe pa përpjekje të mëdhaja. Skllëverit e lumtur janë armiqtë më të mëdhenj të lirisë. Për zogjtë e rritur në kafaz, fluturimi është sëmundje.

Prandaj, një thirrje e kam edhe për ty o mercenar, që përshtyn gënjeshtra e propagandë për natë nëpër ekrane televizive. Shpirtin me bukë mbaje, por mos e bëj leckë dinjitetin e atdheut. Sepse ne nuk po vuajmë vetëm nga dhuna e Ramës, por ne po vuajmë edhe nga heshtja e të mirëve. Prandaj, më mirë zbathur sesa këmbët në një këpucë. Shqipëria është një vend aq i korruptuar, saqë të quaj njeri të mirë vetëm duke mos bërë keq. Prandaj mos u mbyt nga e keqja, por ta mbysim të keqen me të mirë. Dhe mos vdis para se të të prekë plumbi. Çdo pushtet që shkel ligjin nuk quhet qeveri, por quhet mafia. Në një ekip mafioz nuk ka dashuri, por qëllime të përbashkëta.

Historia na ka mësuar se mafia i zgjidh problemet me vrasje. Do ta shohim. Rama apo Balluku? Nuk di se kë të zgjedhësh në shportën me kumbulla dhe dardhë të kalbura. Të zgjedhësh djalin apo vajzën që tradhtuan atdheun dhe si deshi as nëna e vet. Ruajuni asaj dite kur prijesi i një vendi të jetë më i prishuri e më i mjeruari në mesin e njerëzve me autoritet. Prandaj do ngrihemi derisa delet të bëhen ujqër. Prandaj jemi mbushur me zemërimin e të madhit Zot, sepse nuk po durojmë më. Zoti qoftë me ne.

About Redaksia

Check Also

Washington Post për revoltën në Shqipëri/ “Mijëra në protesta kundër korrupsionit të Ramës…”

“Washington Post” Policia qëlloi me gaz lotsjellës dhe topa uji ndaj protestuesve që hidhnin kokteje …