Pano mesazh socialistëve: Edhe juve ky mal ju ka marrë frymën, bashkohuni për fëmijët tuaj!

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Jonathan Pano duke folur në protestën kombëtare të opozitës para kryeministrisë ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, edhe socialistëve që të ngrihen kundër Edi Ramës.

Fjala e Jonathan Panos

Të nderuar zonja, të nderuar zotërinj, i nderuar profesor Berisha, të nderuar deputetë, vëllezër, motra.

Çdo vendim i madh fillon me një të vërtetë të thjeshtë.

Kur më ftuan të flisja në protestën e sotme, më erdhën shumë gjëra ndër mend. Mendova të flisja për shifrat, për ekonominë, për politikat. Por kam vendosur mos të jem as një politikan i ri dhe as një pedagog, por kam vendosur të jem si një djalë i Tiranës.

Kam vendosur të jem këtu si një qytetar i Tiranës, qyteti ku unë, babai im, gjyshi im, stërgjyshi im, u rritën dhe jetuan këtu.

Sot jam kokulur dhe zemërthyer.

Dhe mbase ky është realiteti dhe për një pjesë prej jush.

Kokulur sepse çdo ditë ka gjithnjë e më pak studentë nëpër auditor.

Zemërthyer teksa shoh popullin tim të varfërohet.

Jo se Shqipëria është e varfër, por sepse është e vjedhur dhe vidhet çdo ditë.

Jam këtu si një burrë i ri që nuk arrita t’i mbroj shokët e mi nga zbimi i pushtetit.

Shumica nga shokët me të cilën ndava ëndrrat, nuk janë më këtu.

Nuk ikën se nuk e donin Shqipërinë. Ikën sepse Shqipëria e tyre u pushtua nga një mal që u zinte frymën.

Dhe unë nuk arrita t’i mbroj.

Sot jam këtu si bashkëshort, si një burrë që nesër do të bëhet baba. Dhe pyes veten çfarë vendi po përgatis për fëmijët e mi?

Jam këtu si përfaqësues i një brezi me ëndrra të thyera. Si një brez që ju imponua ikja. Si një brez që ju imponua dorëzimi. Si një brez që ju imponua heshtja.

Por sot jam këtu për një arsye. Sepse ka ardhur koha e betejës finale.

Të dashur miq, sot ne kemi një mal përpara.

Kemi një mal që na ka zënë frymën. Një mal i ndërtuar me tulla droge, me beton frike dhe me heshtjen tonë. Një mal që rritet sa herë qytetarët dorëzohen. Një mal që rëndohet sa herë intelektualët heshtin. Dhe ky mal na mbyt sa herë ne ulim kokën. Ky mal forcohet sa herë ne themi nuk bëhet ky vend. Ky mal bëhet i pathyeshëm vetëm nëse ne qëndrojmë të ndarë.

Ky është mali i kapjes së shtetit. Ky është mali i narkoshtetit. Është një mal i ndërtuar me krim, me para të pista, me rrugë të florinjta, me afera të dyshimta dhe me frikë dhe me heshtje të blerë. Ky është mali i degjenerimit që kërkon të skllavërojë bijtë tanë. Është mali i ligjit të barazisë gjinore, ligj që kërkon të mësojë djemtë tanë katërvjeçarë se kanë lindur në trupin e gabuar. Mali i ligjit që synon shkatërrimin e familjes tradicionale. Mali i ligjit që kërkon vajzat adoleshente të abortojnë pa dijeninë e prindërve të tyre. Është mali i ligjit që burgos për fjalën e lirë dhe të dënon për besimin në Zot. Është mali i ushqimeve të pakontrolluara. Është mali i mungesave të ilaçeve. Është mali i gjyshërve dhe nënave që po mbyllin jetën pa dinjitet.

Miq, ne duhet ta lëvizim malin bashkë. Sepse ky mal nuk lëvizet nga një njeri. Lëvizet nga një popull që është zgjuar. Lëvizet nga studentë që nuk ikin. Lëvizet nga prindër që nuk dorëzohen. Nga të moshuar që refuzojnë të harrohen.

Ky mal sot ka përballë popullin shqiptar.

Një popull që, të themi të vërtetën, është i lodhur, është i varfëruar deri në pafuqi, por jo i thyer përfundimisht. Ne jemi këtu për të rrëzuar gjigandin e narkoshtetit. Jemi për të rrëzuar qeverinë e krimit dhe sot ne po i flasim malit dhe po i themi: Lëviz!

Nga rrënjët, lëviz! Nga themelet, lëviz! Nga vendi yt, lëviz!

Dhe ne do ta lëvizim këtë mal të lartë, sepse jemi të gjithë bashkë.

Dhe ne nuk jemi turmë, por jemi përfaqësi. Përfaqësimi i familjeve pa shpresë. Përfaqësimi i pacientëve që janë të trajtuar si klientë. Përfaqësimi i pensionistëve të braktisur. Pensionistët e të rinjve që nuk gjejnë vend në vendin e tyre. Dhe duhet të themi mjaft. Po po, duhet të themi mjaft. Mjaft me një shtet të kapur. Mjaft me zgjedhje të diktuara nga krimi. Mjaft me një qeveri milionere mbi kurrizin e një populli të varfër, sepse ne nuk po kërkojmë lëmoshë, kërkojmë drejtësi. Nuk kërkojmë kaos, kërkojmë qeveri teknike që t’i kthejë votën popullit, sepse pa votën e lirë nuk kemi shtet, kemi skllavopronarë.

Ata thonë se mali nuk lëvizet.

Propaganda thotë se ne nuk mund t’ia dalim.

Dhe sot, Goliathi nuk mban përkrenare. Vishet me kostum, jeton në saraje lluksi, komandon median, drejton bandat. Por ata harrojnë një gjë: që kur populli bashkohet, ai kthehet në një ortek që nuk mund të ndalet. Të dashur miq, eja të lëvizim malin, jo nesër, sot.

Jo për një parti, po për shtëpitë tona, për fëmijët tanë, për Shqipërinë tonë që na takon.

Ejani të lëvizim malin e korrupsionit, malin e frikës, malin e heshtjes, sepse kur një popull ngrihet me ndërgjegje, asnjë mal nuk është i palëvizshëm.

Ne jemi gjenerata që do të shkulë degjeneratën. Ne jemi ata që do të largojmë nga Shqipëria Epstein-in shqiptar, ai që korruptoi ambasadat dhe shiti atdheun. Ai i bëri Shqipërisë atë që s’ia bëri asnjë pushtues.

Dhe sot kam një mesazh për të gjithë socialistët që po na ndjekin.

E di që dhe juve ju ka ardhur në majë të hundës.

E di që dhe juve ky mal ju ka marrë frymën. E di që dhe juve ky pushtet ua ka përzënë fëmijët. Por ky pushtet është pakicë dhe ne jemi populli.

Edi Rama, ik! Ik përpara se të të shkulë populli! Ky është muaji i fundit i dimrit të gjatë të errësirës, sepse pranvera e shpresës po vjen.

Hugo ka thënë: Edhe nata më e errët do të mbarojë dhe dielli do të lindë përsëri. Po më lejoni që të bëj një deklaratë këtu përpara jush, që dielli nuk do të lindë njësoj për të gjithë.

Dielli do të lindë përsëri për ata që e duan Shqipërinë.

Dielli do të lindë përsëri për ata që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre me punë këtu.

Dielli do të lindë përsëri për ato familje që sot sakrifikojnë gjithçka për të edukuar dhe rritur fëmijët e tyre këtu.

Dielli do të lindë përsëri për studentët që refuzojnë të ikin dhe për ata pensionistë që refuzojnë të harrohen.

Miq, nata e tyre po mbaron. Mali i tyre po po po dridhet, sepse agimi i këtij populli po vjen. Sepse çdo gjigand bie kur populli refuzon të ketë frikë. Ne do ta lëvizim këtë mal dhe do të jetojmë të lirë. Ky është muaji i fundit i dimrit të gjatë të errësirës. Pranvera e shpresës po vjen dhe ne nuk do të përkulemi, nuk do të largohemi, ne do të qëndrojmë dhe me ndihmën e Zotit, ne do të fitojmë. Ne do të fitojmë! Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti i bekoftë shqiptarët! Zoti i bekoftë njerëzit e lirë të këtij vendi! Fitore!

About Redaksia

Check Also

Berisha: Edi Rama dhe Lubi Balluku i përdorin policët mish për top! Për plaçkën e tyre janë gati t’i vënë flakën Shqipërisë!

Pyetje: Zoti Berisha, a arritët të flisnit me mjekët, në lidhje me gjendjen e zotit …