Lideri i opozitës, Sali Berisha gjatë një konference shtypi tha se, protesta e djeshme bindi çdo shqiptar se fitorja mbi narkoregjimin është e sigurt. Ai tha se, Edi Rama është një kufomë politike e pakallur.
Berisha: Qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë meritojnë mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh, të cilët dje me kryengritjen e tyre paqësore, i zbardhën faqen Shqipërisë, shënuan një kapitull të ri në kryengritjen paqësore të popullit shqiptar kundër narkoregjimit të Edi Ramës.
Pas 20 shkurtit të vitit 1991, 10 shkurti i vitit 2026 do të shënohet në analet e përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar dhe njerëzor si ngjarja më e rëndësishme.
Si faqja më e ndritur e kryengritjes paqësore të shqiptarëve për çlirimin nga diktatura autoritare e organizatës kriminale që kryesohet nga Edi Rama.
Një mirënjohje dhe nderim të pakufishëm atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, që dje me protestën e tyre, kryengritjen e tyre paqësore, rikthyen shpresën, rikthyen besimin e shqiptarëve në triumfin e tyre, në fitoren e tyre mbi narkoshtetin.
Shqipëria është tjetër sot, nuk është më kurrë ajo e një dite më parë.
Dhe kjo është merita e madhe e njerëzve të sakrificës, e njerëzve të idealeve, e njerëzve të gatshëm të përballen për të mbrojtur vlerat më të çmuara të njeriut.
Detyrimi ndaj tyre është i pakufishëm.
Protesta e djeshme bindi çdo shqiptar se fitorja mbi narkoregjimin është e sigurt.
Se Edi Rama është një kufomë politike e pakallur.
Se regjimi i tij kundërmon në Shqipëri dhe në Europë dhe duhet hedhur sa më parë.
Gazeta RD