Rënia e ndjeshme në Indeksin e TI: provë e korrupsionit galopant të Ramës

Nga Bujar Leskaj 

Shqipëria ka pësuar rënie të ndjeshme në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të organizatës prestigjioze ndërkombëtare Transparency International (TI) për vitin 2025. Nga 42 pikë që kishte në vitin 2024, vendi ka përfunduar në 39 pikë, në raportin e vitit 2025, duke rënë me 11 vende në renditjen globale të Transparency International. Në raportin e vitit të kaluar, Shqipëria renditej e 80-ta mes 180 vendeve, ndërsa sot vendi renditet i 91-ti.

Rënia e dukshme e Shqipërisë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, sipas vetë Transparency International, përbën një sinjal serioz alarmi për cilësinë e qeverisjes të sektit Rama në pushtet dhe funksionimin e institucioneve publike në vend.

Ky indeks nuk mat thjesht statistika formale, por perceptimin e ekspertëve, investitorëve dhe aktorëve ekonomikë mbi nivelin e korrupsionit në sektorin publik. Në këtë kuptim, rezultati i fundit shihet nga shumë analistë si shuplakë e fortë politike dhe institucionale për modelin e qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Indeksi i Transparency International ka peshë të madhe në reputacionin ndërkombëtar të një vendi. Rënia në këtë indeks dëmton imazhin e Shqipërisë si destinacion investimesh, dobëson besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe ngre pikëpyetje për efektivitetin e reformave të ndërmarra.

Për një qeveri që ka vendosur luftën kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi në qendër të narrativës politike, ky rezultat shihet si një kundërshtim i fortë ndaj suksesit të pretenduar dhe provë se korrupsioni është shtuar me Ramën në pushtet.

Reforma në drejtësi dhe ngritja e institucioneve të reja kundër korrupsionit janë konsideruar hapa të rëndësishëm. Megjithatë, perceptimi publik dhe ndërkombëtar shpesh lidhet me rezultatet konkrete, duke iu dhënë përgjigje pyetjeve: a ka më shumë transparencë në vendimmarrjen publike, a ndëshkohet korrupsioni në nivele të larta dhe a ndihet biznesi më i mbrojtur nga praktikat informale? Nëse përgjigjet mbeten të paqarta, indeksi i TI reflekton mosbesimin e qytetarëve dhe të ekspertëve.

Një element që shpesh përmendet në analizat ekonomike është menaxhimi i kontratave publike, koncesioneve dhe partneriteteve publiko-private. Raporti i vitit 2025 sjell shembuj të shumtë që lidhen me mungesën e qëllimshme të transparencës së procedurave, me mungesën e theksuar të konkurrencës reale në tendera dhe me ndikimin tejet dëmtues në financat publike. Këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt perceptimin për integritetin institucional të vendit.

Debati politik i fortë dhe qëndrimi refraktar i shumicës ndaj nismave parlamentare të opozitës për të denoncuar dhe luftuar rastet korruptive të sjella nga hetimet e SPAK rrisin perceptimin për korrupsion, pasi stabiliteti politik dhe besimi në drejtësi janë faktorë kyç për përmirësimin e perceptimit ndërkombëtar.

Rënia me 11 vende e Shqipërisë në vlerësimin e Transparency International për vitin 2025, krahas së qenit një shuplakë e fortë e vlerësimit ndërkombëtar për Ramën, reflekton mosbesim të theksuar ndaj cilësisë së qeverisjes dhe efektivitetit të gjoja reformave institucionale të sektit të tij në pushtet. Për qeverinë Rama, ky vlerësim përbën sfidë serioze politike dhe ekonomike, ndërsa për vendin një kujtesë se lufta kundër korrupsionit nuk matet vetëm me narrativa qeveritare false për reforma ligjore, por me rezultate konkrete, besim publik dhe standarde të qëndrueshme qeverisjeje.

1 / 1

 

© SYRI.net

About Redaksia

Check Also

Bashkimi Europian i mbyll dyert Ramës/ Costa: Shqipëria, në moment kritik

Të gjitha mediat e regjimit i bënë jehonë vizitës së Ramës në Bruksel dy netë …