Vdekja e biznesmenit italian në Shqipëri, autopsia trondit mjekët italianë, ja çfarë zbuluan

Hetimet mbi vdekjen e biznesmeit Massimo Ferro po vijojnë në dy binarë, mes Tiranës dhe Italisë, ndërsa nga kjo e fundit kanë dalë detaje të reja nga autopsia e dytë e kryer me urdhër të Prokurorisë së Padovës.

Sipas mediave italiane, ekzaminimi mjeko-ligjor i kryer nga eksperti Antonello Cirnelli ka nxjerrë në pah se në trup mungonin stomaku dhe një pjesë e zemrës, të cilat ishin hequr gjatë autopsisë së parë të kryer në Shqipëri, një ditë pas vdekjes që ndodhi në fund të dhjetorit.

Po ashtu, trupi rezultonte i rindërtuar me material leshi, një praktikë që në Itali konsiderohet e tejkaluar dhe jo në përputhje me standardet moderne të mjekësisë ligjore.

Rezultatet e dy autopsive, asaj në Shqipëri dhe asaj në Itali, do t’i nënshtrohen një krahasimi të detajuar për të përcaktuar nëse vdekja lidhet me shkaqe natyrore apo me komplikacione të mundshme nga ndërhyrja kirurgjikale apo menaxhimi pas operacionit. Ndërkohë, Prokuroria e Padovës i ka kërkuar zyrtarisht autoriteteve shqiptare të gjithë dokumentacionin mjekësor që lidhet me rastin.

Sipas avokatëve do të jetë thelbësor rindërtimi i plotë i gjithë procesit mjekësor.

Ferro ishte vizituar më 6 dhjetor në Milano dhe ishte operuar më 18 dhjetor në Shqipëri në klinikën Trita Hospital. Mbetet për t’u verifikuar nëse janë respektuar të gjitha protokollet para operacionit, përfshirë ekzaminimet paraprake, profilaksinë antibiotike, si dhe vlerësimin psikologjik dhe multidisiplinar, që sipas avokates nuk rezulton të jetë kryer.

Në fokus të hetimeve është edhe qëndrimi i tij në spitalin QSUT të Tiranës, ku u transferua pas shfaqjes së komplikacioneve të para.

Massimo Ferro, i diagnostikuar me diabet tip II dhe i vendosur të humbiste peshë pas përpjekjeve të dështuara, kishte zgjedhur një klinikë private në Milano, e cila i kishte propozuar një ndërhyrje gastrektomie për t’u realizuar në Shqipëri, në një strukturë të prezantuar si “binjake”. Kostoja e operacionit ishte 4.400 euro, rreth 10 mijë euro më pak se çmimi i ofruar në Itali.

Sipas raportimeve, komunikimet me kirurgun ishin zhvilluar kryesisht përmes aplikacionit WhatsApp, element që po shqyrtohet gjithashtu nga hetuesit. Pas operacionit, gjendja e biznesmenit u përkeqësua dhe ai ndërroi jetë më 22 dhjetor në repartin e reanimacionit në Tiranë.

Familjarët, të tronditur nga humbja, kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive nëse do të konstatohen shkelje.

About Redaksia

Check Also

Bashkimi Europian i mbyll dyert Ramës/ Costa: Shqipëria, në moment kritik

Të gjitha mediat e regjimit i bënë jehonë vizitës së Ramës në Bruksel dy netë …