Nga Elona CASLLI
Nuk është aspak rastësi që kryefjalë e seancës së djeshme parlamentare ishte Zegjine Çaushi dhe Sara Mile. Të trajnuara sipas modeleve të Spiropalit dhe të Ballukut, këto dy politikane të reja nuk bënë gjë tjetër veçse riprodhuan dy modele që janë kthyer në busull në Partinë Socialiste për këdo që synon karrierë politike brenda kësaj partie.
Me një ligjëratë të zhveshur nga çdo lloj përgjegjësie argumentese dhe politike Sara Mile dhe Zegjine Çaushi pasqyruan dje mjerimin ku është katandisur partia që qeveris Shqipërinë dhe njëkohësisht tkurrjen e standardeve që duhen përmbushur për të qenë deputete e Partisë Socialiste. I vetmi standard që duhet përmbushur për t’u bërë deputete rilindase është mungesa e standardit.
Nuk është aspak rastësi që roli i djeshëm mund të luhej veçse nga Zegjine Çaushi apo Sara Mile sikundër nuk është aspak rastësi heshtja e deputetëve të tjerë rilindas.
Vetëm një treshe si Balla, Zegjine dhe Mile, mund të prodhonin ato skena mediokriteti dhe pasthirrmash në kuvend. Ky trekëndësh rilindas është dëshmi e qartë e degradimit rilindas i cili orvatet dëshpërimisht të mbrojë të pambrojtshmen dhe të përligjë të papërligjshmen.
Post Scriptum- Revolta kundër këtij degradimi është dinjitet për çdo taksapagues shqiptar.
Gazeta RD