Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë konferencës për shtyp, i pyetur nga gazetarët për protestën e 20 shkurtit tha se, paqja është forca jonë, Rama do me çdo kusht gjak, por ne nuk i përgjigjemi.
Marsi Korreshi: Zoti Berisha, protestën e 10 shkurtit ju e cilësuat si shënjuese në historinë e përpjekjeve të shqiptarëve në kryengritje me atë që e cilësoni regjim. Ndërkohë që paralajmëroni një tjetër protestë të fuqishme me datën 20 shkurt. Çfarë do ketë të veçantë kjo protestë? Dhe a do jetë më i fortë reagimi opozitar, më i ashpër? Si do të jetë qasja?
Sali Berisha: Edhe njëherë, për demokratët dhe opozitarët, paqja është forca. Nuk kërkojmë dhunë për forcë, përkundrazi.
Ne tmerrojmë. Ju e patë se ç’bëri Edi Rama, në pabesi dhe krim absolut, qëlloi protestuesit në kokë. Tre plumba. Ilir Tushi, Demë Dollapi, Luan Lleshi dhe një zonjë. Ajo në krah, këta të tre në kokë.
Që të tre ata mund të mos ishin sot.
Ai do me çdo kusht gjak, ne nuk i përgjigjemi.
Dhe u them protestuesve, mos konfondoni kriminelët që këta i kanë bërë snajper dhe i urdhërojnë të qëllojnë ndaj jush, me policët e thjeshtë.
Policët e thjeshtë janë absolutisht shumë më afër me protestuesit se sa me organizatën kriminale dhe anëtarët e saj dhe Edi Ramën.
Ndaj dhe ne… një polic të plagosur nuk ke parë. Lëre se ç’thonë ata. Asnjë polic të plagosur dhe as të gërvishtur. Jo.
Nuk shkojnë protestuesit aty për të qëlluar policët.
Nuk shkojnë aty për dhunë.
Shkojnë të gjithë me urrejtje kundër Edi Ramës dhe zyrës së tij.
Po, aty është përqendruar urrejtja dhe zemërimi popullor dhe ky përpiqet të përdorë policët si mish për top.
Siç i përdori qytetarët në vitin 2011.
Por kjo është tjetër lloj.
Është kryengritje paqësore kjo.
Jemi në fushëbetejë.
Do e fitojmë këtë luftë ne.
Ne, çdo betejë që kemi nisur, e kemi fituar.
Por jo luftën akoma.
Do fitojmë luftën.
Ju e keni parë jehonën më të jashtëzakonshme, më të rrufeshme protesta e 10 shkurtit, të gjitha rrjetet televizive të botës duke nxjerrë para ekraneve fytyrat e urryera të Belinda Ballukut dhe Edi Ramës.
I keni parë vetë në të katër anët.
Sigurisht Edi Rama, ua them qytetarëve, gjersa ne t’i tregojmë vendin në mënyrë përfundimtare, ai nuk ikën se ka tmerr sepse absolutisht në qindra firma, ka vetëm krim, vjedhje, vjedhje, krim.
Asgjë tjetër. Nuk ka ai. Ju e shihni vetë si është.
Gazeta RD