Në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, bashkëkryetari Luçiano Boçi mohoi akuzat për sabotim nga opozita, duke kërkuar më shumë kohë për një reformë të qëndrueshme.
Ai theksoi se produkti final duhet të ketë ndikim afatgjatë dhe të mos përsëritet situata e reformës së vitit 2015.
Boçi kërkoi dëgjesa me banorët e zonave të interesuara dhe propozoi ngritjen e një sekretariati teknik për organizimin e tyre, për të shmangur konfliktin e interesit nga bashkitë.
Boçi: Meqenëse ka debat për çështjen e kohës, se ka një grup që ne duam të sabotojmë çështjen e reformës, shtrirjen e saj në kohë, ne kërkojmë kohë më shumë ndërkohë që koha qenka e përcaktuar dhe me një vendim parlamenti. Dëgjova edhe këtë tjetrën që të ecim se nëse kërkohen ndryshime i bëjmë gjatë rrugës. Nuk funksionon. Nuk ka një tendencë nga ana jonë për të sabotuar në kohë por produkti që duhet të dalë nga ky Komision i ngjasojë produktit të një reforme që impakton pushtetin lokal për 30-40 vitet e ardhshme dhe jo t’i rikthehemi pas 10 viteve siç ndodhi me reformën e 2015.
Ne kemi angazhimin që të punojmë pa u vendosur në këtë këmishë force dhe duke bërë që reforma të jetë konsulencë e gjerë me faktorët dhe aktorët. Në projekt kalendar është parashikuar që të bëhen dëgjesa, kryesisht konsiderohen publike, me kryetarët e bashkive. Publik për nga forma por ajo që po kërkojmë ne, ne na duhen edhe seanca dëgjimore me popullsi të atyre territoreve që shprehin kërkesën për të krijuar një hartë e re territoriale. Nuk mjafton vetëm sondazhi.
Propozimi ynë që të shtojmë në projekt kalendar këto dëgjesa. Një propozim tjetër në lidhje me mënyrën e organizimit të dëgjesave. Nuk mund të jenë bashkitë vetë që t’i organizojnë se shumica e tyre janë në konflikt interesi, por të organizojmë një sekretariat teknik. Nëse i lëmë në dorë bashkive, kjo nuk do të na çojë te konkludimet reale se në shumicën e tyre dominohen nga maxhoranca.
Gazeta RD