Studentja Lorida Çeliku u bëri thirrje të gjithë të rinjve të bashkohen me opozitën në protestën e 20 shkurtit ora 18:00 para kryeministrisë. Nga foltorja e organizuar nga PD sot para kryeministrisë, Çeliku tha se është koha për tu ngritur në protest kundërs kësaj qeverie që po shpopullon vendin.
Fjala e saj
Unë quhem Lorida Çeliku, vij nga qyteti i Burrelit dhe jam studente në vit të dytë. Ka ardhur një kohë shumë e vështirë për të gjithë, por në veçanti për ne të rinjtë. Po na duhet të rritemi para kohe, të mendojmë për hallet dhe problemet që nuk na përkasin. Sot, gjëja kryesore që një i ri mendon është se si të ikë nga ky vend. Nga ky vend ku kemi plot kujtime të bukura dhe veçanërisht shpirtin tonë, nënë e babë.
Në vend që ky shtet të mundohet të na mbajë këtu, po bën çmos për të na përzënë, sepse kështu ndodh kur fati i të rinjve lihet në dorë të një personi që mendon vetëm për përfitimet e veta personale. Ky vend po degradon dita-ditës. Kemi arsimin që ka dështuar me kohë dhe askujt s’i bëhet vonë. Nuk ju intereson aspak se si do të shkollohen brezat e rinj, ndërkohë që fëmijët e tyre i kanë dërguar të shkollohen jashtë në shkollat më të shtrenjta.
Po shkatërrohen biznese të cilat mund t’ju kenë kushtuar një jetë të tërë pronarëve të tyre për t’i hapur. Po mundohen t’ju marrin pronat qytetarëve pa asnjë të drejtë e shumë e shumë gjëra të tjera që ju i dini shumë mirë. Por kam vetëm një pyetje për ju.
Po pse? Kjo është Shqipëria që duam? Çuditem se si disa akoma mbajnë anën e një personi që është arsyeja kryesore e shkatërrimit të këtij vendi. Anën e një specie i cili po na lë të jetojmë në komunizëm modern, ku asnjë nuk është i barabartë. E di që shumica nga ju janë lodhur duke parë se si ky vend po kthehet si dikur, por të paktën po ju kërkojmë një shans për t’u bërë të gjithë bashkë, për të kthyer jetën në normalitet. Nuk është koha për justifikime.
E di që keni frikë, e di se mendoni se ndoshta nuk do ia dalim dot. E di se kërcënoheni me bukën e gojës, por kjo është mënyra e vetme për t’i dhënë një dorë këtij vendi. Askush nuk do pyesë se kush e nisi protestën, por kush mungoi kur ajo ndodhi. Prandaj më 20 Shkurt, le të bashkohemi të gjithë bashkë për të mirën e vendit tonë dhe për njëri-tjetrin.
Gazeta RD