Ku jemi këto 100 ditë në drejtimin e Bashkisë Vlorë nga kryetarja jolegjitime?

Nga Rezenbrik SERJANI

ADMINISTRATA E 9 NËNTORIT, KRYESUAR NGA KRYETARJA JOLEGJITIME e Bashkisë Vlorë, BËN 100 DITË NË KRYE TË DREJTIMIT TË PUNËVE TË BASHKISË VLORË.

Në traditën politike, 100 ditët e para nuk janë thjesht një shifër simbolike, ato përbëjnë një matës real të vizionit, seriozitetit dhe objektivave qeverisëse. Janë një projektim i së ardhmes përmes veprimeve konkrete të së tashmes. Janë prova e parë e objektivave, prioriteteve dhe përgjegjësisë së një drejtuesi, qoftë në nivel vendor apo qendror.

Po ku jemi këto 100 ditë?

Si është Vlora dhe si projektohet e ardhmja e saj nga kryetarja jolegjitime 7% që e drejton atë në delegjitimitet të plotë?

A kanë qenë dhe a dëshmojnë këto 100 ditë një politikëbërje të mirë për Vlorën, në aspektin e punëve të Bashkisë?

A do të jetë Vlora më e mirë në përfundim të këtij gjysmëmandati të ardhshëm dhe në fund të këtij katërvjeçari të zi, që besoj se do të përfundojë më keq se sa nisi?!

Këto 100 ditë jo vetëm që nuk është bërë asnjë progres apo punë reale nga ana e Bashkisë Vlorë, por, akoma më keq, çdo gjë po shkon mbrapsht.

Në 100 ditë, kryetarja e Bashkisë Vlorë na ka treguar dhe ka dëshmuar se institucioni i Bashkisë nuk ekziston dhe për qytetin asnjë punë reale nuk është ndërmarrë.

Qyteti ka përjetuar një valë protestash qytetare, duke nisur me punonjësit e pastrimit që kanë denoncuar shkelje të të drejtave të punës, te tregtarët e vegjël nën presion ekonomik, te transporti urban e interurban i lënë pa zgjidhje institucionale.Kujtojmë këtu dhe kryeprotestën e udhëhequr nga kulmi i pakënaqësisë qytetare, ku mijëra qytetarë mbetën për ditë të tëra pa një shërbim bazik jetik, sic ishte mungesa e furnizimit me ujë për 7 ditë. Këto janë indikatorë të një administrate që nuk funksionon me standardin e përgjegjësisë publike.

Mbledhjet e Këshillit Bashkiak kanë reflektuar mungesë transparence dhe llogaridhënieje nga ana e drejtuesve të Bashkisë Vlorë, ndërsa projektet e prezantuara nuk kanë arritur të krijojnë besim publik, përkundrazi ato janë fund e kry projekte me baza të forta abuzimi. Në vend të një klime bashkëpunimi dhe zhvillimi sipas modelit institucion-qytetar, sot Bashkia Vlorë është kthyer në modelin e arrogancës institucionale dhe i mungesës së dialogut, arrogancë kjo e përqendruar nga ana e Kryetares së Bashkisë Vlorë.

100 ditët e para duhej të ishin themeli i një mandati të përgjegjshëm. Në vend të kësaj, ato kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi drejtimin dhe vizionin për qytetin. Këto 100 ditë nuk kanë rezultuar me një projekt të qartë për ekonominë lokale, për turizmin, për infrastrukturën, për punësimin apo për shërbimet bazë. Nuk ka objektiva të matshëm dhe as mekanizma realë monitorimi. Çdo instancë apo nisëm nga ana e Bashkisë është në rënie të lirë. Asnjë përmirësim !

2027 është afër. Zgjedhjet e ardhshme vendore do të jenë një tregues real dhe vendimtar për shumë zhvillime në Vlorë dhe mbarë Shqipërinë.

Projektet e vetme të Bashkisë janë projektet e korrupsionit. Në çdo asfalt që hidhet apo lule që mbillet, aty gjithmonë ka abuzim, dhe kjo me bekimin e ekzekutivit vendor të Bashkisë Vlorë.

100 ditët nuk dëshmojnë asnjë perspektivë për të ardhmen e Vlorës, asnjë plan konkret, asnjë objektiv real me në qendër qytetarin vlonjat.

Vlora sot ndodhet në një udhëkryq.
Midis arrogancës dhe përgjegjësisë.
Midis interesit personal dhe interesit publik.

100 ditët e para nuk sollën ndryshimin e premtuar. Ato prodhuan më shumë pasiguri sesa shpresë. Dhe nëse nuk ndryshon qasja, çdo 100-ditësh i ardhshëm rrezikon të thellojë më tej këtë hendek midis qytetit dhe institucioneve që duhet ta përfaqësojnë atë, sepse fatkeqësisht objektivi i këtij ekzekutivi dhe në veçanti i vet kryetares aktuale është vazhdimi i abuzimit dhe mendja për një rikandidim të dytë.

Si matës i politikëbërjes, 100 ditët e para e ngelin në klasë kryetaren 7% të Bashkisë Vlorë.

About Redaksia

Check Also

Manifest ideor i të djathtës shqiptare (vazhdim)

Nga Nikola KEDHI IIC. Shteti i së Drejtës: Ligji si kufi i pushtetit, jo si …