Motra e Ergys Agasit, Drejtoreshë Juridike te AKSHI, duartroket Ramën teksa prezanton Igli Tafën

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të martë (17 shkurt) Igli Tafën si drejtuesin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), pas largimit të Mirlinda Karçanaj. Kjo e fundit ndodhet nën hetim nga SPAK për procedura të dyshuara abuzive me tendera që lidhen me institucionin.

Gjatë ceremonisë së prezantimit është vënë re edhe prania e Viola Agasit mes zyrtarëve dhe punonjësve që ndoqën fjalën e kryeministrit.

Viola Agasi, motra e Ergys Agasit

Ajo mban detyrën e Drejtores Juridike të Prokurimeve dhe Integrimit në AKSHI dhe, sipas të dhënave publike, është motra e biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK.

Ergys Agasi është shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për aferën e fondeve publike në AKSHI.

Sipas dosjes hetimore, ai dyshohet se ka qenë pjesë kyçe e një skeme të organizuar abuzimi me tendera, përmes procedurave fiktive dhe faturimeve të rreme, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.

Më herët janë raportuar detaje nga dosja e Prokurorisë së Posaçme lidhur me “grupin kriminal AKSHI”, ku përmendet se ish-drejtuesja e institucionit frekuentonte zyrën e Ergys Agasit, ku, sipas hetimeve, diskutoheshin kushtet e tenderave.

Sipas të dhënave, kompania “E.A Solution” përfitonte nga këto procedura, ndërsa verifikimi juridik i dokumentacionit kalonte në strukturat përkatëse të institucionit.

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj e ka përshkruar Agasin si një nga njerëzit më të afërt të Ramës, duke pretenduar se ai ka pasur akses të drejtpërdrejtë në ambientet e Kryeministrisë dhe ka marrë pjesë në takime informale, jashtë çdo funksioni zyrtar.

Sipas Ahmetajt, Agasi ka shërbyer si ndërmjetës i interesave të paligjshme dhe si koordinator në prapaskenë, duke vepruar nën mbrojtje politike.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Kryengritja jonë do të jetë vetëm paqësore! Vjedhja e qytetarëve rrëzon çdo pushtet

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren’ me mbështetësit në Krujë …