Bylykbashi: Kjo qeveri i ka shuar shpresën qytetarëve, rruga e vetme për të rrëzuar Ramën është protesta

Drejtuesi i PD i qarkut Durrës, Oerd Bylykbashi, në Foltoren e radhës në Krujë, u shpreh se qytetarët dhe demokratët e Krujës dhe Fushkrujës dhanë një shembull të qartë suksesi, duke sfiduar presionet e shtetit dhe patronazhimin e pushtetit lokal.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për mbrojtje të klientëve të vet, duke përmendur rastin e Ballukut, dhe theksoi se përpjekjet e qeverisë janë vetëm për të mbrojtur interesat e një klike të ngushtë politike.

Bylykbashi bëri thirrje të qartë për bashkim të demokratëve dhe gjithë shqiptarëve në protestë, duke theksuar se kjo është rruga e vetme për të rikthyer demokracinë, pluralizmin dhe normalitetin në vend, si dhe për të ndalur shpopullimin dhe degradimin që po shkaktohet nga qeverisja aktuale.

Fjala e Bylykbashit

Demokratë të Krujës e Fushkrujës, i nderuar kryetar i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha, të nderuar kolegë, deputetë, kandidatë,

Është kënaqësi që të jem këtu me ju sot në këtë foltore që kryetari i Partisë Demokratike po zhvillon, dhe do të zhvillojë me ne bashkë, për të diskutuar zhvillimet dhe rrugën që ne do të ndjekim për të shkuar përpara.

Unë, si drejtues i qarkut Durrës për Partinë Demokratike, bashkë me kolegun zotin Strazimiri, por edhe me zotin Doja, me Anjen, me Aulonin dhe me kandidatët e tjerë, kemi bashkëpunuar me ju. Në Krujë dhe Fushkrujë arritëm një rezultat të madh: në Bashkinë e Krujës u arrit një fitore e rëndësishme. Ju jeni autorët e këtij rezultati, i cili është baza për të gjithë ne që, së bashku, pavarësisht problemeve, të tregojmë se si mund të punojmë fort dhe të jemi fitues në zgjedhjet e ardhshme për Bashkinë e Krujës.

Unë vërtet do të dëshiroja shumë që në reformën territoriale Kruja dhe Fushkruja të mbeten dy bashki të veçanta, por në çdo rast ju keni dhënë provën se së bashku, duke punuar përtej vështirësive, përtej presioneve dhe patronazhimit të shtetit, ju jeni fitues. Ky është një falenderim i imi nga zemra për punën që keni bërë, por falenderoj edhe kandidatët për rezultatet e shkëlqyera që patën në këtë zonë.

Do të jem i shkurtër në këtë prononcim, por besoj se të gjithë ju e keni të qartë situatën që po zhvillohet. Shqipëria po shkon me shpejtësi drejt një situate që kërkon zgjidhje vendimtare, dhe këtë detyrë e kemi ne demokratët. Partia Demokratike, me në krye profesor doktor Sali Berishën, dhe të gjitha partitë e tjera opozitare duhet të mblidhen në një front të përbashkët për t’i dhënë drejtim kësaj situate, e cila po i çon shqiptarët në greminë përditë.

Ju u tha pak më përpara nga të gjithë kolegët, Kruja është nga vendet që e ka ndjerë më shumë shpopullimin. Dhe ky shpopullim nuk vjen thjesht nga zgjedhja e njerëzve për t’u larguar sepse duan një jetë më të mirë. Është modeli dhe shembulli se si shteti, me dorën e vet, në mënyrë të qëllimshme i shuan shpresën qytetarëve: ia shuan prindërve, fëmijëve, kujtdo që do të bëjë biznes, do të shkollohet, kërkon drejtësi, rend, normalitet të jetës së vet. Dhe ju jeni shembull.

Është detyra jonë të ngrihemi së bashku, dhe ne kemi filluar një rrugë që është pa kthim: drejt rrëzimit të Edi Ramës dhe klikës së tij, i cili, siç e shihni, vazhdon të sillet përditë për të mbrojtur interesat e veta. Përpjekja për të mbrojtur Ballukun nuk është asgjë tjetër përveçse përpjekje për të mbrojtur veten.

Tani, përtej çdo gjëje tjetër që do të bëjmë, ftesa jonë është që të gjithë shqiptarët, jo thjesht anëtarët dhe militantët e Partisë Demokratike, të bashkohen në protestë për të rrëzuar Edi Ramën. Kjo është rruga e vetme që në Shqipëri të rikthehet demokracia, pluralizmi, normaliteti dhe rruga drejt Evropës.

Unë nuk do të zgjatem më tej, por dua t’ia kaloj fjalën profesor doktor Sali Berishës, kryetarit të Partisë Demokratike, për të vazhduar këtë bashkëbisedim me ju.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Kryengritja jonë do të jetë vetëm paqësore! Vjedhja e qytetarëve rrëzon çdo pushtet

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren’ me mbështetësit në Krujë …