39 MINUTA ME SALI BERISHËN

Nga Agim XHAFKA
Plot 8 vite pa takuar Sali Berishën. Kur në whatsapp më njoftoi se mund të takoheshim në orën 11 e 30 te zyra e tij nuk e mohoj që u gëzova. Si çdo gazetar kur rasti e shpërblen me një bisedë kur përballë ka liderin e opozitës. Ndërkohë mendoja se këto vite do të kenë bërë punën e saj. Te ndonjë rrudhë më shumë, te ndonjë ecje më e avashtë, te ndonjë harresë për dikë. Por ja që u zhgënjeva komplet. Jo vetëm që gjeta Berishën që takova para 8 vitesh, por dhe më me gjallëri. Më aktiv.
-Doktor, -i thashë me sinqeritet, -veç unë dhe Rama qenkemi moshuar. Ti s’ke lëviz hiç.
Qeshi, normal e mori si kompliment. Por unë nuk e thashë ashtu. Pastaj drejt e në temë. Me pyetjen e parë:
-Prezenca jote në Prishtinë ndjehet. Por edhe mungesa jote ndjehet. Kishe ftesë për pavarësinë e Kosovës apo jo?
Ndërsa prisja një po ose një jo, Berisha pa hezitim tregoi:
-Gjyqi sot në Hagë për ish-liderët e UÇK zhvillohet krejtësisht gabim. Nuk ka objekt akuza, i ka rënë. Se u futën në burg për rrëmbim e tregtim organesh, që doli një flluskë. Hetoni në gjithë Shqipërinë, u thashë kur isha kryeministër. E përfundimi? Hiç, asgjë. Në këto rrethana Rama mund t’i ndihmonte. Ndoshta dhe t’i lironte. Si? Duke ngritur çështjen e tyre në komisionet e të drejtave të njeriut të BE e të parlamenteve. Edhe në Kongresin Amerikan. Ai bëri atë që di më mirë. Të shajë gjykatësit dhe të mallkojë kushdo që i vjen në mendje. Situatën e tyre Rama e lehtësonte me ministrinë e Jashtme dhe me instrumentat e parlamentit tonë.
E mora përgjigjen si dhimbje për Kosovën, pa i dhënë rëndësi ftesës në ia bënë apo jo. Kur Bush shpalli pavarësinë e Kosovës Berisha qe në krah të tij. Sali Berishës ia bëri ftesën historia. Ai çast nuk do të harrohet kurrë, do të mbahet mend, do të mësohet në shkolla. Ndërsa organizimet e përvitshme janë e do ngelen rutina të drejtuesve të muajit kur bëhet festa.
Më tej pyetjes:
-Mos protestat i keni të buta se edhe në shtëpi po e kape një hajdut nuk i lutesh që të ikë, e dënd në dru dhe e flakërin nga dritarja.
Mendohet pak për këtë.
-E drejtë. Kjo qeveri është hajdute e dokumentuar. Edhe socialistët kështu e quajnë. Kryesore është që do kemi vazhdimësi dhe me protesta të llojllojshme. Nuk mënjanojmë grevat e urisë e shumë veprime që do sjellin rezultat.
Më tej unë i solla një shqetësim të shumë miqve të mij:
-Grupin parlamentar e ke me disa të grupit të Bashës.
-E vërtetë. Isha unë që sa u përmbys diktatura shpreha sloganin “Opozitarë, por vëllezër”. Dhe tani kështu duhej sjellë. U kompaktësua grupi, u arrit që të mposhtej virusi.
Me siguri virus e kishte për Bashën. Ndaj e pyeta:
-Qe zgjedhja jote Basha!
-Jo. As ai, as Olldashi. E kam thënë dhe e rithem.
E thotë dhe pak me nervozizëm nga që i është bërë e bezdisëshme si konstatim. Gjej rast ta lavdëroj Bashën.
-Mendoj që ishte karizmatik, i arsimuar, i sjellshëm.- i them.
-Ke të drejtë. Ashtu u shfaq, por i bëri shumë dëm PD-së.
-Po për një zëvendësues a ke menduar?
-Jo. Ata që mendojnë për zëvendësa zakonisht zgjedhin fëmijët e vet.
Më tej Berisha beson te një rikthim i tretë. Dhe sipas tij duhet bërë shpejt se vendi ka kapur në çdo fushë vendin e fundit.
-Ama Rama në vidhisjen e rrugëve të tij ka kapur vendin e parë. Mbase kampion botëror, -i them.
Pas 39 minutave më përcjell deri te shkallët. Oborri mbushur me fuoristrada.
-Nuk paska trokitur ende varfëria te ky oborr, -bëj shaka.
Ai qesh. Dhe nis e ngjit shkallët si djalosh.
-Ore, mbase është sozia ky se Sali Berisha sikur i kaloi 80 vite! -sjell në vete veten time.

About Redaksia

Check Also

Një i “pandehur” nga Tirana në Bordin e Paqes

Nga Basir ÇOLLAKU Teksa Rama merret me  marketin e propogandës, në pritje të udhëtimit të tij …