Xhufi: Hajde ta shporrim komunizmin, Shqipëria është e jona! S’na ndalon kush!

Alessandro Xhufi, anëtar i Departamentit Brain Gain të PD në fjalën e tij në protestën para kryeministrisë i bëri thirrje shqiptarëve të ngrihen për të shporrur qeverinë Rama.

Fjala e Alessandro Xhufit

Mirëmbrëma të dashur vëllezër dhe motra, demokratë dhe demokrate, shqiptarë dhe shqiptare.
Sot më mbushet zemra plot me mall,sepse shoh ju.
Shoh fytyrat tuaja. Shoh sytë tuaj.
Shoh një popull që ka vuajtur, por që kurrë nuk është dorëzuar.
Ju jeni luftëtarë të lirisë. Dhe liria nuk dhurohet, liria fitohet.
Çdo herë që vij në Shqipëri, dëgjoj një fjali:
“Fajin e ka Saliu”. Fajin e ka Saliu? Po si mund ta ketë fajin Saliu?
O popull, paramendoni një gjë: kur unë fillova shkollën fillore, Edi Rama ishte kryeministër.
Kur fillova gjimnazin, ai ende ishte kryeministër.
Edhe sot që jam në universitet, ai prapë është kryeministër. Një fëmijë rritet. Një brez plaket.
Një vend vdes. Dhe pushteti nuk ndryshon.
PD-ja ka qenë në pushtet kur unë isha 6 vjeç, e këta thonë fajin e ka Saliu?
O popull, o njerëz, këta në pushtet jo vetëm që ju vjedhin, por ju shajnë, ju gënjejnë, ju poshtërojnë. E prapë, fajin e ka Saliu.
O shqiptarë, ju lënë pa bukë, pa punë dhe pa shtëpi. Ju detyrojnë të merrni rrugën e kurbetit.
Dhe pastaj ju thonë: “Fajin e ka opozita”.
E ndjeni çfarë gënjeshtre përcjell propaganda komuniste në këtë vend çdo ditë?
Në historinë e Shqipërisë, armiku i vërtetë i shqiptarëve nuk ka qenë as turku, as serbi, as greku. Por shqiptari vetë.
Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u tradhtua nga nipi i tij, Hamza. Por dijeni këtë: ne jemi populli i Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit. Ata janë populli i Haxhi Qamili.
Ne jemi Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi. Ata janë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu.
Ne jemi ai popull që para 35 vjetësh doli në shesh dhe rrëzoi statujën e diktatorit.
Ata fshiheshin si minj në Bllok.
Po pse fshiheshin si minj? Sepse kishin frikë nga ju. Frikë nga populli.
Problemi i kësaj race politike është se mendon që të gjithë njerëzit janë shpirtligë si ata. Por gabohen.
Ne nuk jemi këtu për hakmarrje. Ne nuk jemi këtu për urrejtje. Ne jemi këtu për drejtësi.
Për dinjitet njerëzor. Për dinjitet kombëtar. Ne jemi populli i besës. Ata janë populli i hajnisë.
Unë, si Alessandro Xhufi, jam krenar që jam shqiptar. Por më thyhet zemra kur vij këtu dhe shoh pallate madhështore, por që janë bosh.
Shtëpi pa drita. Qytete pa të rinj. Më thyhet zemra kur shoh Zegjinen me Sara Milen duke u zgërdhirë me njëra-tjetrën në Parlament.
Më thyhet zemra kur shoh brezin tim pa shpresë, pa ëndrra, duke ndjekur modelin e gangsterit. Por si mund të mos ndodhë kjo, kur në krye të vendit
kemi kriminelin më të madh të këtij kombi? Gjyshi im më la një amanet.
Më tha: “O Aleksandro, mbaro shkollën e lartë dhe kthehu në atdhe”.
Të dashur miq, nuk do të ketë bir sigurimsi apo prokurori që të ndalojë mua apo secilin prej jush. Sepse Shqipëria nuk është e tyre.
Shqipëria është e jona.
Rroftë Partia Demokratike!
Rroftë Shqipëria!
Rroftë populli shqiptar!
Hajde, ta shporrim komunizmin, o burra!

About Redaksia

Check Also

Mediat amerikane jehonë protestës së opozitë: Integrimin në BE në pikëpyetje!

Mediat amerikane i kanë bërë sërish jehonë protestës së mbajtur këtë pasdite te Kryeministria, kundër …