Eliona Shkreli: Rama po grabit Shqipërinë, fundi i tij politik është burgu!

Kryetarja e PD të Shkodrës, Eliona Shkreli, në fjalën e saj në podiumin e protestës së opozitës para kryeministrisë u shpreh se Edi Rama dhe regjimi i tij po shkatërrojnë çdo ditë Shqipërinë, duke vjedhur taksat e qytetarëve, shkatërruar shëndetësinë dhe arsimin, dhe duke shkaktuar varfërim e shpopullim.

Kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci e quajti “hajdut i çertifikuar” dhe se “fundi i tiij tashmë është i vulosur në burg”.

Shkreli bëri thirrje për bashkim të qytetarëve dhe veprim të vendosur për të çliruar vendin nga ky pushtet mafioz, duke theksuar se Shqipërinë e shpëtojmë vetëm vetë ne.

Fjala e Shkrelit

Mirëmbrëma, të dashur qëndrestarë dhe qëndrestare! Mirëmbrëma, të dashur guximtarë dhe guximtare! Ju që sot shënoni histori. Ju jeni heronjtë që do të shënoheni me shkronja të arta në historinë e Shqipërisë. Ju që do të shporrni diktatorin Edi Rama dhe regjimin e tij, të lidhur kokë e këmbë me bandat e krimit dhe me paratë e drogës.

Mirëmbrëma, i nderuar lider i Partisë Demokratike dhe i opozitës së bashkuar, profesor doktor Sali Berisha. Unë vij nga Shkodra e lirisë. Unë vij nga qyteti simbol i revoltave të para antikomuniste. Jam krenare sepse vij nga qyteti ku demokracia ka lindur. Jam krenare sepse Shkodra ka qenë e para gjithmonë në lëvizjet antikomuniste. Por fatkeqësisht, Shkodra sot është e grabitur. Është e grabitur nga një person i cili është një hajdut i çertifikuar, i pandehur nga SPAK, nga Benet Beci, i cili, me bandat e krimit dhe paratë e drogës, grabiti Shkodrën, por Shkodra këtë nuk ia fal.

Ai sot është një frikacak. Pasi ka bërë zullumet, ka vjedhur shqiptarët dhe sot vjedh Shkodrën dhe taksapaguesit shkodranë, sillet si frikacak, si i pabesë. Nuk arrin sot të shkojë në gjykatë, fshihet. Benet Beci, ty nuk ka Drinë as Bunë që të lanë. Sado që ti të fshihesh dhe të mbrohesh nga mburoja e regjimit, vendi yt dhe fundi yt tashmë është i vulosur në burg.

Ai është i pari kryebashkiak që mban edhe postin e drejtuesit politik të Shkodrës, të qarkut të Shkodrës. Por fundi i tij tashmë dihet, dhe ditët e tij në Shkodër janë të numëruara. Erdhi si shërbëtor i përulur, por po ik me faqe të zezë. Po ik me turp. Dhe këtë turp do t’ia shënojnë në fytyrë të gjithë qytetarët shkodranë.

Sot është 20 Shkurti. Është datë historike. Data që na kujton rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha. Sot ne jemi këtu në 20 Shkurt, për të rrëzuar Edi Ramën, diktatorin e dytë, regjimin e tij që po vjedh çdo ditë paratë e shqiptarëve. Ai që po shkatërron familjen shqiptare. Ky i pamoralshëm që po shfaros të gjitha vlerat e Shqipërisë që i kemi ruajtur me forcë në historinë tonë. Ky që ka shkatërruar arsimin, ka shkatërruar shëndetësinë, që ka varfëruar, që ka shpopulluar.

Ky hajdut që, me bandën e tij dhe hajdutët e tij në pushtet, prodhon ligje dhe ata që kanë blerë para për të, ngrejnë në rrjesht kartonin për t’i miratuar ato, vetëm për të mbrojtur atë dhe familjen e tij, për të ligjëruar vjedhjet e tij ditë e natë. Dhe ky po na vjedh ne, të dashur miq, të dashur qëndrestarë.

Prandaj, sot unë i them Edi Ramës: hap sytë. Ky është mesazhi që të jep Shqipëria. Shqipëria nuk të do. Shqipëria është këtu. Më mirë kap ato tre çakla, dil nga zyra, sepse do të jenë shqiptarët që do të të shporrin me turp.

Të dashur miqtë e mi, të dashur bashkëqytetarë, ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar në këtë shesh. Ne nuk duhet të lëvizim nga këtu. Nuk mund të presim që na shpëtojnë as të huajt, as ndërkombëtarët. Shqipëria është e jonë. Shqipërinë e shpëtojmë ne. Shqipërinë e çlirojmë ne.

Prandaj, të gjithë së bashku, burra, gra, fëmijë, të rinj dhe të reja, të moshuar, të jemi të gjithë së bashku në një kauzë të vetme: të shkatërrojmë regjimin e Edi Ramës, të largojmë Edi Ramën dhe të largojmë pushtetin e tij mafioz. Shqipëria na takon ne. Shqipëria është e jonë dhe Shqipëria nuk mund të jetë kurrë më vetëm në dorën e një bande që e grabit atë. Kemi pritur boll.

About Redaksia

Check Also

Berisha paralajmëron Ramën: Në rast se guxon të sulmsh këtë seli, selive të tua gjurmë nuk do t’u gjesh!

Kryetari i PD, Sali Berisha në një deklaratë për mediat nga Selia i bëri thirrje …