Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka nisur hetimin disiplinor për gjyqtaren Irena Gjoka.
Më 20 shkurt, ILD ka njoftuar Adriana Kalanë se, pas shqyrtimit fillestar të ankesës, ka konkluduar se ekzistojnë dyshime të arsyeshme që magjistratja Irena Gjoka ka kryer veprime/mosveprime, të cilat përbëjnë shkelje disiplinore.
Për këtë arsye, është vendosur fillimi i hetimit disiplinor me iniciativë dhe me nismë të ankuesit ndaj magjistrates znj. Irena Gjoka, gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në nenin 123, 124 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka regjistruar procedim penal pas një kallëzimi të depozituar nga Adriana Kalaja ndaj gjyqtares Irena Gjoka, për fshehjen nga formulari i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës të një dënimi penal të dhënë nga drejtësia greke për falsifikimin e një pasaporte dhe një vize në mesin e viteve 2000. Sipas SPAK-ut, procedimi është regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, por ende nuk është regjistruar ndonjë emër si person nën hetim.
Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin penal në Greqi.
Gazeta RD